Nga: Yasmin Rufo / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Kudo, për momentin, janë mesazhet “Vit i Ri, Vetja e Re”.


Reklamat për palestër dhe plane dietash shfaqen në rrjetet sociale dhe bisedat për kohën pas rikthimit në punë sillen rreth asaj se kush do të heq dorë nga çfarë, kush do të fillojë diçka të re, apo kush më në fund po t’i bëjë siç duhet gjërat në këtë janar.

Megjithatë, shumica e objektivave për Vitin e Ri nuk zgjasin. Shumë prej nesh do t’i kenë braktisur qëllimet deri në mesin e janarit.

Por, ky vit mund të jetë ndryshe. I kemi pyetur disa ekspertë për këshilla se si të përcaktoni - dhe të mbani - objektivat tuaja për Vitin e Ri.

1. Jini realistë

A do të jetë viti 2026 ai kur do të “humbni peshë”, “ndryshoni karrierë” apo “ndërroni shtëpi”?

Kujdes - këto nuk janë plane të zbatueshme, janë deklarata presioni, paralajmëron Dr. Claire Kaye, ish-mjeke e përgjithshme dhe trajnuese për vetëbesimin.

Vendimet shpesh dështojnë sepse janë të paqarta, jorealiste dhe shumë të gjera, thotë ajo.

Ajo këshillon të shkruani se çfarë po funksionon në jetën tuaj, çfarë po ju shteron energjinë ose nuk përshtateni më, dhe ku po funksiononi në autopilot.

“Kur kuptoni çfarë doni më shumë, jo vetëm nga çfarë doni të ikni, ndryshimi bëhet shumë më i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Shkruani qëllimet tuaja duke u përqendruar te “drejtimi dhe përvoja, në vend të një pike fikse”.

Ajo sugjeron që “humbja e peshës” mund të riformulohet si: “Dua të ndihem më me energji dhe më rehat në trupin tim, dhe të kuptoj çfarë më ndihmon të ndihem në atë mënyrë”.

Në vend të “të ndryshoj karrierë”, mund të jetë: “Dua të hulumtoj se cila punë më jep energji dhe kuptim, dhe të identifikoj një hap të vogël drejt një të madhi për këtë”.

2. Mos i përdorni këto dy fjalë

Një gjë tjetër për t’u shmangur kur shkruani qëllimet është përdorimi i gjuhës së fiksuar si “gjithmonë” ose “kurrë”, thotë psikologia Kimberley Wilson.

Kjo krijon një qasje gjithçka ose asgjë, e cila është jashtëzakonisht e vështirë për t’u mbajtur.

T’i premtoni vetes “Gjithmonë do të dal për vrap të mërkurën” ose “Nuk do të pi më kurrë” thjesht ju përgatit për dështim.

“Një shembull klasik lidhet me dietën ose ushtrimet, kur njerëzit mendojnë se nëse gabojnë një ditë, atëherë gjithçka është e kotë”, i ka thënë ajo podkastit të BBC‑së, What’s Up Doc.

Ajo thotë se njerëzit mund të zhvillojnë një vizion tuneli, duke gjykuar një zgjedhje të vetme të izoluar, kur ajo që nevojitet është perspektivë më e gjerë që vë një moment në kontekstin e shumë të tjerëve.

Dr. Kaye thotë se qëllimet duhet të shkruhen me formulime më elastike, si “Dua të eksperimentoj me”, “Dua të krijoj më shumë hapësirë për” ose “Po mësoj çfarë funksionon për mua kur”.

3. Planifikojeni përkeqësimin

Keni qenë shumë mirë për javë të tëra, pastaj një hap i humbur, një takim, një ndejë natën vonë dhe papritur seria juaj e fitoreve ka marrë fund dhe ndiheni të mundur.

Arsyeja pse disa vendime dështojnë është se “njerëzit bëjnë plane për versionin më të mirë të vetes”, thotë Wilson.

“Ata nuk janë të përgatitur për të ndenjur zgjuar deri vonë ose për të pasur një ditë të vështirë në punë, dhe në atë moment nuk kanë një plan për të vënë në zbatim”, thotë ajo.

Wilson thotë se është e rëndësishme ta pranoni përkeqësimin si pjesë të procesit - kjo nuk do të thotë se keni dështuar, sepse këmbëngulja ka më shumë rëndësi sesa përsosmëria.

Dr. Kaye thotë se është e rëndësishme të kujtoni se “qëllimi nuk është të jesh perfekt, por të shmangësh kthimin e një momenti në braktisje të plotë të planit”.

Nëse gaboni, “reagimi më i dobishëm është kureshtja dhe jo kritika” dhe, në vend që të prisni javën tjetër ose muajin tjetër për të filluar sërish, duhet ta trajtoni çdo ditë si një rindezje.

4. Kombino shprehitë tuaja

Një mënyrë për të ndihmuar suksesin e objektivave tuaja për Vitin e Ri është teknika e njohur si “kombinimi i shprehive”, ku lidhni një sjellje të re me diçka që tashmë është pjesë e rutinës suaj të përditshme, thotë trajnuesja për karrierë, Emma Jefferys.

“Për shembull, pasi laj dhëmbët, bëj dhjetë pompa. Pasi hedh verë në gotë, shkruaj për dhjetë minuta. Pasi i vë fëmijët në gjumë, shtrihem”, thotë ajo.

“Nuk po shtoni më shumë gjëra, po e ndërthurini sjelljen e re në strukturën e asaj që tashmë bëni”.

Në vend që të mbështeteni vetëm te motivimi, Jefferys thotë se edhe rregullimi i mjedisit për sukses mund të sjell një ndryshim të madh.

“Pra, nëse doni të lexoni më shumë, mbajeni librin mbi jastëk që të detyroheni ta lëvizni para gjumit”, thotë ajo.

5. Bëjeni në mënyrë pozitive

Nëse objektivi juaj për Vitin e Ri është të kurseni më shumë ose të menaxhoni më mirë buxhetin, ekspertët thonë se kjo ka më shumë gjasa të zgjasë nëse lidhet me diçka pozitive.

Tom Francis, drejtues i financave personale në Octopus Money, thotë se “të kesh një qëllim të qartë dhe emocionues, qoftë pushim apo fond emergjence, e bën kursimin të ndihet i qëllimshëm dhe jo kufizues”.

Ai gjithashtu thotë se është e rëndësishme të mos përpiqeni të ndryshoni shumë gjëra njëherësh, sepse kjo rrallëherë është e qëndrueshme.

“Zgjidhni vetëm dy ose tri përparësi të qarta - për shembull, kursimi i 1 200 paundëve [1 374 ruro] për një pushim ëndrrash mund të duket gjë e rëndë, por 100 paund [115 euro] në muaj duket i arritshëm”, thotë ai.

Nëse keni një shpenzim të papritur, është në rregull të ngadalësoni, thotë ai.

“Ulja e kursimit mujor nga 100 paundë në 20 paundë [23 euro], për shembull, do të thotë se ende po ecni përpara, dhe ajo që ka më shumë rëndësi është ta mbani gjallë këtë shprehi”. /Telegrafi/