DY DIEJ NË MUZG

Nga: Roger Waters (albumi “The Final Cut”, Pink Floyd, 1983)
Përktheu: Agron Shala
Në retrovizor dielli po perëndon
Duke u zhytur pas urave në rrugë
Dhe mendoj për të gjitha gjërat e mira
Që i kemi lënë të papërfunduara
Dhe vuaj nga parandjenjat që konfirmojnë dyshimet
Për holokaustin që do të vijë
Teli i ndryshkur që mban tapën që mbyll zemërimin
Këputet dhe papritmas është përsëri ditë
Dielli është në Lindje
Edhe pse dita ka mbaruar
Dy diej në muzg, hëm
Mos vallë ka marrë fund raca njerëzore?
Si momenti kur frenat bllokohen
Dhe rrëshqet drejt kamionit të madh ("Oh jo!")
I zgjat çastet e ngrira me frikën tënde
Dhe nuk do t’i dëgjosh kurrë zërat e tyre ("Babi, Babi!")
Dhe nuk do t’i shohësh kurrë fytyrat e tyre
Nuk ke më ku t’i drejtohesh ligjit
Dhe teksa xhami i përparmë shkrihet dhe lotët e mi avullojnë
Duke lënë vetëm shkrumbin për t’u mbrojtur
Më në fund i kuptoj
Ndjenjat e të paktëve
Hi dhe diamant, armik dhe mik
Në fund ishim të gjithë të barabartë
... dhe tani moti. Nesër do të jetë me re, me reshje të shpërndara që përhapen nga Lindja ... me një temperaturë maksimale të parashikuar prej katër mijë gradë Celsius ...



















































