Anok Yai, bukuroshja me origjinë sudaneze, është një fenomen i vërtetë në botën e modës. Ajo studionte biokimi dhe po shkëlqente, derisa një fotografi i ndryshoi përjetësisht rrjedhën e jetës

Sikur fati të kishte dashur ndryshe dhe ajo të kishte përfunduar fakultetin ku po merrte notat më të larta, bota do të kishte fituar njërën prej mjekeve më të bukura. Por Anok Yai hoqi dorë nga mjekësia për të ecur në pasarela dhe për t’u shfaqur në kopertina glamuroze. Nuk u pendua. Deri te yjet e modës ajo arriti me një shpejtësi marramendëse dhe tani është shpallur modelja më e bukur e vitit 2025.


Një debat global për bukurinë

Vera e kaluar solli një debat të zjarrtë në internet, nën iniciativën e revistës “Vogue”, e cila publikoi pyetjen provokuese: Kush është modelja më e bukur në botë? Emrat si Bella, Gigi, Irina, Emeli Encarnacion, fituese e titullit Crowned Supermodel International dhe Lila Moss u përmendën shpesh. Por, edhe pse bukuria është në sytë e shikuesit, një emër doli në krye pa asnjë dilemë: Anok Yai.

Bukuri “jo nga kjo botë”

Ajo ka tipare fytyre aq perfekte sa duken sikur janë krijuar nga vetë inteligjenca artificiale. Megjithatë, asgjë në të nuk është artificiale, edhe pse pamja e saj unike bëri që ta quanin “kukulla e gjallë” apo “bukuri jashtëtokësore”.

Anok është një fenomen në industrinë e modës, me një pamje që lë pa frymë, pothuajse sureale. British Fashion Council, institucioni britanik që në botën e modës luan rolin që ka Akademia e Filmit në SHBA për “Oscarët”, e ka shpallur atë Modelen Nr. 1 në botë për vitin 2025 dhe kjo flet vetë, transmeton Telegrafi.

@runwaytape

TikTok · runwaytape

Një jetë që ndryshoi nga një foto

Anok pritet të marrë zyrtarisht çmimin e saj së shpejti, por pjesa më interesante e historisë është fakti se ajo as që e kishte menduar ndonjëherë modën si profesion. Lindi më 20 dhjetor 1997 në Kajro, me rrënjë sudaneze. Familja e saj e varfër u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për një jetë më të mirë. Fillimisht jetuan në Nju Jork, e më pas në Mançester të Nju Hempshirit, kur jeta në metropol u bë shumë e shtrenjtë.

Nëna e saj ishte infermiere, babai punonte në një organizatë bamirëse lokale, ndërsa Anok kujdesej për vëllezërit dhe motrat, përveç shkollës ku shkëlqente. Zgjodhi një drejtim të vështirë: u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Plimouth për të studiuar biokimi. Por në vitin 2017, një takim krejt rastësor ia ndryshoi jetën.

Në rrugën e kthimit nga fakulteti, e ndaloi fotografi Steve Hall, i cili i kërkoi t’i bënte një foto. Veshur thjeshtë, me pantallona të shkurtra xhinsi dhe flokë kaçurrela, ajo nuk e imagjinonte se ajo fotografi do të bëhej virale – duke mbledhur mbi 20 mijë pëlqime në pak orë. Skautët e agjencive të modës e vunë menjëherë re.

Nga studentja në yllin e “Prada”-s

Të parët që e kontaktuan ishin nga “Next Models Management”, duke e ftuar në Nju Jork për një takim. Katër muaj më vonë, Anok Yai u bë modelja e parë me origjinë sudaneze që hapi një sfilatë të “Prada”-s. Përpara saj, një nder i tillë i kishte rënë vetëm Naomi Campbell, në vitin 1997, një arritje historike.

Më vonë ajo pranoi se fama që e përfshiu ishte aq e madhe, sa ndonjëherë ndihej si “dre e trembur në dritën e farave”. Por e kuptoi se fati i kishte dhënë një mundësi të rrallë, të cilën duhej ta shfrytëzonte me mençuri.

Nga “Victoria’s Secret” te “Met Gala”

Siç ndodh shpesh me talentet e vërteta, ofertat filluan të vërshonin nga çdo drejtim. Për të vazhduar karrierën, Anok u detyrua të braktiste fakultetin, gjë që shkaktoi tension me prindërit e saj, të cilët dëshironin ta shihnin si mjeke. Por ajo vazhdoi rrugën e vet dhe sot nuk ekziston shtëpi e madhe mode që nuk ka bashkëpunuar me të: Saint Laurent, Balmain, Versace, Chanel, Givenchy, Valentino - lista është e pafund.

Kohët e fundit ajo u pa në spektaklin e “Victoria’s Secret”, ndërsa më herët shkëlqeu në Met Gala, ku tërhoqi gjithë vëmendjen me një bodysuit të punuar me kristale Swarovski.


Autenticitet dhe frymëzim

Autentike dhe inspiruese, Anok ka ndërtuar një karrierë brilante pa hequr dorë nga personaliteti i saj. “Kur fillova, industria donte që të isha vajza e ëmbël dhe gjithmonë e gëzuar. Por kjo nuk jam unë”, tregon ajo. Në jetën private, ka pasione të pazakonta: është e fiksuar pas filmave të errët dhe koleksionon thika.

Në momentet e rralla të lira, ajo i kthehet pasionit të fëmijërisë, pikturës me vaj në kanavacë, që e ndihmon të çlirohet nga stresi i botës së modës.

Nga ankthi social te vetëbesimi

Në fëmijëri, Anok Yai ishte vajzë e tërhequr dhe vuante nga ankthi social. Në shkollë, ajo vishej ndryshe dhe nuk e shqetësonte nëse binte në sy. Shokët e klasës e quanin “të çuditshme”, por me kalimin e kohës ajo e kuptoi se originaliteti është forca e saj më e madhe. Moda, në një mënyrë të veçantë, e ndihmoi të çlirohej dhe të shfaqte identitetin e saj të vërtetë. /Telegrafi/