Duken perfekt, janë të suksesshëm, por jetojnë në ankth: Si ta njohim problemin e fshehur psikik

Shumë njerëz duken të qetë dhe të rregullt, por brenda luftojnë me presion të padukshëm, frikë nga dështimi dhe lodhje që askush nuk e vëren
Këta persona vuajnë, planifikojnë me detaje, janë të suksesshëm, por për gjithçka paguajnë një çmim. Të gjithë jemi herë pas here më shumë ose më pak të ankthshëm, “duam të dalim nga lëkura jonë”. Megjithatë, ekziston një formë ankthi kur njeriu, në shikim të parë, duket i organizuar, është i suksesshëm në punën me të cilën merret, por jeton nën presion të vazhdueshëm, në thellësi të shpirtit fsheh frikën nga dështimi dhe dyshon në aftësitë e veta. Fjala është për Ankthin funksional të lartë, një gjendje që nuk njihet zyrtarisht si çrregullim mendor.
Çfarë është Ankthi funksional i lartë?
Ankthi funksional i lartë është një problem i fshehur i shumë personave që në shikim të parë duken të suksesshëm, njerëz që shkëlqejnë në punë dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Ky lloj ankthi nuk është zyrtarisht i pranuar si çrregullim mendor, por megjithatë është një gjendje që në mënyrë të ndjeshme e ul cilësinë e jetës.
- Ankthi funksional i lartë nuk njihet në DSM-5 (Manualin diagnostik dhe statistikor të çrregullimeve mendore), por është e rëndësishme të zbulohet dhe të trajtohet sepse mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës, thotë dr. Srinivas Danaram, psikiatër në Banner Thunderbird Medical Center në Glendale, Arizona, transmeton Telegrafi.
Personi duket i qetë, por brenda lufton
Ankthi është emocion natyral; të gjithë jemi ndonjëherë të ankthshëm para një paraqitjeje publike ose një ngjarjeje të rëndësishme, por jo deri në atë masë që të vuajmë. Ky ankth mund të jetë aleati ynë dhe të na motivojë të kryejmë detyrat.
Nga ana tjetër, Ankthi funksional i lartë është diçka krejt tjetër. Ekspertët shpesh e përshkruajnë personin shumë të ankthshëm si “rosë që lundron qetë mbi ujë, ndërsa nën ujë këmbët i lëviz me panik”. Këta persona duken të qetë dhe të fokusuar, por brenda luftojnë dhe thjesht përpiqen ta përballojnë ditën.
- Personi tipik me Ankth funksional të lartë planifikon gjithçka dhe dëshiron që gjithçka ta kryejë me kohë. Ai është mësuar me një nivel të vazhdueshëm ankthi dhe i fsheh me mjeshtëri simptomat psikologjike dhe fizike. Në këto rrethana, çdo stres shtesë mund të çojë në humbje të kontrollit. Personat me Ankth funksional të lartë, për shkak të mungesës së vetëdijes ose mirëkuptimit, i përballojnë simptomat në heshtje dhe janë vazhdimisht në prag të djegies emocionale, shpjegon dr. Danaram.

Shenjat dhe simptomat
Nëse jeni të suksesshëm, por vazhdimisht të rraskapitur, ndoshta keni këtë formë ankthi. Modeli i të menduarit që bazohet në “vetëm ta kryej këtë” ose “e shtyj me çdo kusht” mund të duket si virtyt, por në të vërtetë mund të jetë maskë për vuajtje.
Dr. Danaram thotë se Ankthin funksional të lartë e shoqërojnë këto simptoma:
- ndjenjë e shtuar brenge dhe ankthi që zgjat gjatë shumicës së ditëve për të paktën 6 muaj
- shqetësim që mund të shfaqet si nervozizëm
- lodhje dhe rraskapitje pas stresit intensiv
- irritim kur gjërat nuk shkojnë sipas planit
- tension muskulor, shtrëngim i grushteve ose nofullës
- probleme me gjumin – vështirësi për të fjetur, zgjim gjatë natës
- ndjenjë e vazhdueshme tensioni, “në teh të thikës”
- të folur i shpejtë ose ndryshim i shpeshtë i temave
- vështirësi në delegimin e detyrave ose mosbesim se të tjerët do ta kryejnë punën
- rreptësi e tepruar ndaj vetes, standarde të larta dhe shpesh joreale
- përdorim i alkoolit apo substancave të tjera për qetësim
- Personat me Ankth funksional të lartë mund të kenë disa nga këto simptoma dhe megjithatë të arrijnë rezultate. Por suksesi që ushqehet nga ankthi ka një çmim, dhe ai është shëndeti i cenuar, lodhja kronike dhe depresioni, thotë dr. Danaram.
Çfarë e shkakton Ankthin funksional të lartë?
Dr. Danaram vlerëson se këtë formë ankthi e nxisin faktorët gjenetikë dhe mjedisi në të cilin jetojmë. Ndonjëherë gjithçka e ka bazën në përvojat e hershme të jetës.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e Ankthit funksional të lartë janë:
- çrregullimet e ankthit në familje
- probleme hormonale dhe shëndetësore, veçanërisht çrregullimet e funksionit të tiroides
- abuzimi me alkool dhe substanca psikoaktive
- tërheqja ose turpi në fëmijëri
Si trajtohet dhe si të përballemi me këtë gjendje të fshehur të ankthit?
- Trajtimi është i njëjtë si për format e tjera të ankthit, përfshirë çrregullimin e ankthit të përgjithësuar. Aplikohen psikoterapia, dhe nëse është e nevojshme, edhe medikamentet; po ashtu është e rëndësishme që personi të punojë në ndryshimin e zakoneve të jetesës, thotë dr. Danaram.
Format e lehta deri të moderuara mund të lehtësohen me aktivitet fizik të rregullt, gjumë të shëndetshëm dhe të rregullt, teknika relaksimi dhe meditimi, kontroll të ngarkesës së punës dhe të afateve.
Format më të rënda të Ankthit funksional të lartë trajtohen me terapi kognitive-biheviorale ose forma të tjera psikoterapie. Medikamentet si antidepresivët (SSRI), benzodiazepinat dhe beta-bllokuesit mund të jenë të dobishëm. E rëndësishme është edhe mbështetja adekuate e rrethit dhe së paku një person që na kupton. /Telegrafi/
















































