A duhet të bashkëqeverisin LVV dhe LDK? Rezultati i sondazhit me afro shtatë mijë vota

Dështimi për të 11-ën herë me radhë i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka bërë që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të bëjë një hap të ri për zhbllokimin e kësaj situate.
Kurti të hënën i është drejtuar me një letër zyrtare ku i ka bërë ftesë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për një marrëveshje politike për bashkëqeverisje. Në letrën e tij, Kurti ka shkruar se është “i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se do t’i përgjigjet me kohë teksa u bëri thirrje bashkëpartiakëve që të mos sillen me arrogancë.
Telegrafi ka hapur një sondazh për lexuesit ku i ka pyetur nëse duhet të ndodh një koalicion mes LVV-LDK. Në këtë sondazh mendimin e tyre e kanë shprehur 6 mijë e 833 lexues në më pak se 24 orë, prej tyre 56% hanë deklaruar se po duhet të ketë koalicion LVV-LDK, ndërsa 44% kanë thënë që jo.
Mbetet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje mes të dy subjekteve, dhe nëse do të kemi zhbllokim të situatës. /Telegrafi/




















































