Dua ngacmohet për fustanin, ndërsa ajo thotë se do të ndërrohet para se të ulet

Dua Lipa është personazhi kryesor i mbrëmjes në edicionin e sivjetmë të Brit Awards.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore është e nominuar në pesë kategori, për albumin më të mirë britanik, këngëtaren më të mirë britanike, shpërthimi i vitit, kënga më e mirë britanike dhe videoklipi më i mirë.

Për evenimentin e madh muzikor britanik, ajo kishte zgjedhur të vishte një fustan mjaft interesant.
Gjatë arritjes në tepihun e kuq, këngëtarja shqiptare fillimisht është komplimentuar për veshjen, ndërsa më pas është pyetur se si ka arritur ta veshë fustanin e saj dhe se si do t'ia dalë të ulet.

"Do të ndërrohem para se të ulem", ishte përgjigja e 22-vjeçares.
Sidoqoftë, derisa përgjigjej, ajo është ulur për të treguar se mund të bëjë çfarë të dojë, përkundër se ka veshur një fustan të tillë.
Pjesë e evenimentit është edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Rita Ora, e cila do të performojë në skenën e Brit Awards. /Telegrafi/



















































