Drejtuesit e Gjykatës në Prizren në takimin me KGjK-në raportojnë për progresin në zbatimin e planeve strategjike

Zgjidhja e lëndëve dhe efikasiteti në trajtimin e tyre sipas planeve strategjike janë diskutuar në takimin e gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Prizrenit me përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sipas njoftimit të kësaj gjykate, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj si dhe kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi dhe Planit Strategjik për Efikasitetin e Trajtimin të Rasteve të Korrupsionit, Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare dhe Krimit të Organizuar, Afrim Shala, kanë vizituar të enjten Gjykatën Themelore në Prizren, Degën në Suharekë, me ç’rast janë pritur nga kryetarja e Gjykatës, Shpresa Emra, gjyqtari mbikëqyrës Selajdin Gallapeni, si dhe janë zhvilluar takime me të gjithë gjyqtarët.
“Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i implementimit të planeve strategjike, vlerësimi i progresit në zgjidhjen e lëndëve, rritjes së performancës, uljes së numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe realizimit të normës së lëndëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, raporton Telegrafi.
Gjithashtu është bërë e ditur se është vlerësuar angazhimi i kësaj gjykate me degët përkatëse për rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e performancës.
Statistikat për tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me periudhën e vitit të kaluar dhe realizimi i normës për vitin 2024, sipas njoftimit, reflektojnë angazhimin e stafit gjyqësor dhe efektivitetin e masave të ndërmarra për përmirësimin e sistemit gjyqësor.
“Kryetarja Emra i njoftoi me gjendjen dhe ngarkesën me lëndë në Gjykatën Themelore në Prizren, në Divizionin Penal dhe Civil, dhe me ritmin aktual të punës që tejkalon normën 150% të zgjidhjes së lëndëve. Deri në fund të vitit Gjykata do të jetë në gjendje të zbatojë në plotni planet strategjike”, thuhet në njoftim.
Pas takimeve të zhvilluara, sipas njoftimit, është realizuar edhe vizita në objektin në ndërtim e sipër për Gjykatën Themelore në Prizren. /Telegrafi/














































