LAJMI I FUNDIT:

Dosja e sigurimit për Maks Velon: Jeta “sekrete” e arkitektit dhe piktorit

Dosja e sigurimit për Maks Velon: Jeta “sekrete” e arkitektit dhe piktorit

Dosja sekrete e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të Maks Velos ka ardhur në një libër me titullin “Maks Velo. Jetë paralele”, përgatitur nga Alda Bardhyli dhe nën logon e ‘UET PRESS’. Janë 106 dokumente, një pjesë e të cilave shoqërohen me rrëfime të vetë Velos mbi ngjarjet e raportuara. Cili qe roli i familjes në dënimin e Maks Velos? Ai ishin çështjet morale apo rrymat artistike që përkrahte që e dënuan Maks Velon? Jeta e arkitektit e piktorit vjen e rrëfyer në një libër që përmban dosjen e plotë të Sigurimit të Shtetit për të: nga sherret me miqtë, te bisedat për artin e huaj, apo marrëdhënien me femrat dhe debatet me bashkëshorten Luçiana Naraçi e bija e Gertrude Buheckes – vjehrrës së Velos.

AKUZAT PËR MORAL, “AI KRYEN MARRËDHËNIE ME TURISTET GJERMANE E FRANCEZE”


DOKUMENTI 18
Tiranë, më 17.02.1976
Relacion përmbledhës mbi materialet e objektit në 2/A Maks Velo
(PJESË)
Maksi ka qenë martuar me Luçiana Naraçin, e cila e ka të ëmën austriake. Me këtë grua Maksi ka lindur një djalë. Ka më se një vit që ata nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe puna ka shkuar në gjyq për t’u ndarë. Maksi është tip shumë negativ. Ai është takuar disa herë me turiste të huaja franceze e gjermane në plazhin e Durrësit për të kryer me to marrëdhënie seksuale. Maksi njihet si një njeri feminist. Ai është dhe tip psikopati, por kjo nuk do të thotë se veprimet armiqësore që ai kryen i bën në mënyrë të pandërgjegjshme…

DOKUMENTI 21
Ekzemplar i vetëm/ NYSRET DAUTAJ/ Tiranë, më 10.07.1976
Unë p. operativ Ropi Postoli, efektiv i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, pasi studiova materialet e dosjes në ngarkim të objektit në 2/A Maksim Velo. Vetë Maksi njihet si njeri i shthurur në jetë e imoral. Qëndrimi i tij moralo-politik që nga koha që ka qenë në shkollën e mesme, në atë të lartë dhe gjatë kohës që ka punuar në ndërmarrje dhe institucione të ndryshme nuk ka qenë i mirë. Maks Velo ka pasur lidhje me turiste të huaja gjermane e franceze. Për këto takime të tij me turistet e huaja i është tërhequr disa herë vëmendje, por ai përsëri ka vazhduar të takohet me to. Për të vërtetuar marrëdhëniet e tij me turistet e huaja, Maksi është marrë në P. P. në vitin 1973, por nuk doli gjë me rëndësi. Ai takohej me turistet e huaja si njeri i degjeneruar për të kryer marrëdhënie seksuale.

DOKUMENTI 23
Raport dt. 20.07.1977
Maksi shfaqi mendimin duke thënë: “Këta tani do ta kenë shumë të vështirë në të gjitha drejtimet po u prishën me kinezët. Pse bëhet kështu siç po bëjnë këta? Po prishen me gjithë botën…. Dikur kam pasur një dashnore franceze, ishte fantastike. Femrat tona nuk janë kurrë në gjendje të jepen ashtu siç jepej ajo, sepse femra jonë ka gjithmonë halle dhe nuk mund ta ketë mendjen vetëm te dashuria. Femra jonë nuk mund ta ketë kurrë atë feminilitet që ka një femër e huaj, sepse si mund ta ketë kur ti vete dhe e çon atë në aksion dhe në punë fizike”… Burimi di se Maksi ka pasur dashnore, e cila e ka zyrën afër shtëpisë së Maksit. Gjithmonë ka pasur dhe një arsimtare të shkollës së Ndroqit, të shoqin e së cilës e njoftoi për marrëdhënien e tij, pasi ajo grua u nda nga Maksi. “SEMANI”

DOKUMENTI 38
Raport dt. 06.03.1978
Maksi ka qejf ta fusë në dorë këtë vajzë, pasi dhe kjo njihet si vajzë e shthurur. Po kështu, Maksi kërkon të lidhë marrëdhënie me një punonjëse në kombinatin e tekstileve “Stalin”, e cila ka dashur të fejohej me Islam… i dënuar. Po kështu ka një vajzë nga Elbasani e quajtur…, babai i saj ka qenë kryetar i DPB të Elbasanit, tani është në pension. Me të ka marrëdhënie të vazhdueshme intime, por nuk do ta marrë…

NGA GREZDA TE GJERGO E DULE, KOLEGËT QË SPIUNUAN MAKS VELON

DOKUMENTI 6 “SEKRET”
Shënim operativ Sot më datë 04.03.1975 pata një bisedë me piktorin stazhier të Institutit të Arteve, Genc Hajdari. Biseda u zhvillua rreth piktorit Maks Velo, për të cilin Genci na ka denoncuar disa gjëra në vitin 1973. Duke folur për këtë çështje Genci tha: “Maksin e kam pasur pedagog këto kohë. Më kujtohet që në leksionet që na jepte Maksi në atë kohë, ai na citonte me zell e pasion të madh citate të filozofëve reaksionarë si: Dideron, Pikaso etj. Për të na dhënë citatet e këtyre filozofëve, Maksi ishte gati të humbiste gjithë kohën e leksionit. Për sa i përket krijimtarisë së tij si piktor, Maksi ka qenë një formalist i theksuar. Ai lexonte mirë frëngjisht e anglisht dhe meqenëse dinte këto gjuhë lexonte shumë literaturë të huaj, të cilën e merrte në Bibliotekën Shkencore të UT-së. Maksi në këtë kohë kishte shoqëri me piktorin Fatmir Mati etj. Këta të gjithë shkëmbenin me njëri-tjetrin materialet në gjuhë të huaj që lexonin dhe që i merrnin nga drejtori i Bibliotekës Shkencore të UT-së. Shoqëri shumë kohë përpara Maksi ka pasur dhe me skulptorin Hektor Dule. Në kohën që Hektori u kthye nga Çekosllovakia, hynte e dilte në shtëpinë e Maks Velos, por pastaj u prishën me njëri-tjetrin dhe që nga ajo kohë e deri më sot nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Shkakun e prishjes së tyre, unë nuk e di. Maksi ka qenë një njeri i dhënë pas femrave. Më kujtohet se njëherë Maksi i ka propozuar një shoqes sonë studente që kjo t’i shkonte në shtëpi dhe t’i vizitonte studion e tij. Këtë vajzë Maksi e simpatizonte. Kam marrë vesh që Maksi ka një ose dy vite që është martuar me një femër që ka një baba të mirë, profesor, por që janë femra të degjeneruara si e ëma e saj (e cila është franceze me origjinë) ashtu edhe vetë kjo. E shoqja e Maksit ka qenë e fejuar me një tjetër, por e ndau atë dhe mori Maks Velon”. Biseda me Gencin u zhvillua nga unë dhe shefi, shoku Ilo Noti.
Punëtori operativ/ Ropi Postoli/

DOKUMENTI 9 “SEKRET”
Tiranë, më 23.01.1975
IMPLIKIM NXJERRË NGA PROCESI I TË ARRESTUARIT EDISON GJERGO, DATË 21.01.1975
… Për pikturën ‘Epika e yjeve të mëngjesit’ që më kritikoi me të drejtë Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, më lavdëruan edhe shokët e mi. Maks Velo më tha se jam një njeri me talent dhe se në këtë pikturë unë kisha përdorur talent e mjeshtëri… Unë kisha lexuar disa revista dhe libra të huaj në bibliotekën e institutit, si dhe citate të artistëve dekadentë mbi ‘lirinë e pakufishme’ të krijimtarisë dhe këto pikëpamje të tyre i kam komentuar duke biseduar me Maks Velon etj., Emrat e tyre tani nuk më kujtohen, duke i lavdëruar ata për mendimet, krijimet dhe pikturat e tyre. Unë u kam thënë se piktura nuk duhet të ketë asgjë të përbashkët me letërsinë. Piktura duhet të shpjegohet me fjalë dhe se piktura nuk duhet të ketë asgjë të tillë, se piktura dëmtohet kur merr elemente të tilla. Kjo do të thotë që piktura të jetë e pavarur. Me këto mendime të miat qenë dakord dhe ata. Madje, Maks Velo një ditë aty nga viti 1972 më mori në studion e tij dhe më citoi disa thënie të autorëve dekadentë të Perëndimit si: Pikaso, Shagall, Renuar etj., dhe unë i thashë i entuziazmuar të m’i kopjonte këto citate dhe të m’i jepte. Ai tha mirë, por unë nuk shkova t’i merrja dhe nuk ia kam marrë. Maksit atë ditë i pashë që kishte bërë edhe piktura me ndikime nga këta autorë dhe unë ia lavdërova duke e inkurajuar atë”.
Punëtori Operativ/Piro Katro

DOKUMENTI 14
SEKRET
Tiranë, më 02.09.1975
Sot më datë 27.07.1975 u takova në studion e tij me skulptorin Hektor Dule. Pasi bisedova për krijimtarinë e tij në fushën e skulpturës (pasi Hektori ka një krijimtari pozitive dhe partishmëri e taban kombëtar) e pyeta atë për kolegun e tij Maks Velo, për të cilin e dija që Hektori e ka pasur shok para dy-tri vitesh, por janë zënë me të dhe tani nuk flasin. Për Maks Velon, Hektori më tha këto gjëra: “Maks Velo është tip borgjezi, njeri i lig. Unë me të kam punuar në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe kam pasur njëfarë njohjeje, por jemi zënë dhe tani nuk flasim. Shkaku i zënies sonë ka qenë sepse ai ka tentuar të kapë njëherë motrën time me dorë, në kohën kur kjo ka ardhur të më kërkonte mua në Komitet. Në atë kohë, Maksi ka bërë pjesë në rrethin shoqëror të Fadil Paçramit, Ibrahim Uruçit, V. K. dhe I. K., dhe mbahej afër nga Fadil Paçrami. Në vitin 1962, kur kisha gati një vit që isha kthyer nga Çekia, i kam shkuar për herë të parë për vizitë Maksit në shtëpi, me ftesën e tij. Kur vajta në shtëpi vura re se aty kishte një luks të madh dhe binte erë ambient komplet borgjez. Për sa i përket krijimtarisë artistike të Maksit, ai është njeri ‘snob’ (i paaftë), por që do të tregohet se është i zoti në pikturë dhe arkitekturë. Më kujtohet mirë se kur është bërë diskutimi i veprave me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit, Maks Velo ka bërë një diskutim shumë të poshtër… Në vitin 1971 ‘72 Maksi mori përsipër të bënte disa punime arkitektonike për hotel ‘Vollgën’ (Drinin). Vizatimet i kishte bërë vetë, ndërsa punimet në bronz apo argjend ia bëri punëtori i ndërmarrjes artistike ‘Migjeni’, Nasi Buraci. Në komisionin e vlerësimit të këtyre objekteve isha edhe unë dhe nuk i pranuam asnjë, sepse që të gjitha ishin punë pa vlerë, pa kuptim dhe ekstravagante. Maksi është shoqëruar edhe me Mihal Hanxharin. Maks Velo dhe ndonjë simpatizant i tij, e maskonin krijimtarinë e tij gjoja se ajo bazohej në motive popullore. Kur ka qenë në institut si pedagog Maks Velo gjithashtu ka pasur shfaqje të theksuara të huaja në punën e tij me studentët. Për këtë gjë mund t’ju flasin më mirë ata që e njohin nga afër për këtë periudhë”.
Punëtori operativ/ Ropi Postoli/

VJEHRRA E AKUZOI PËR DHUNË, BASHKËSHORTJA: U NDAMË PËR QËNDRIME TË HUAJA KARSHI GRUAS

DOKUMENTI 8
SEKRET
Ekzemplar i vetëm Tiranë, më 04.07.1975 Shënim operativ Sot më datë 04.07.1975 pata një bisedë në prezencë të p. operativ Gëzim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheckes, që banon në rrugën “Bajram Curri” 36/4, p. 10. Kjo ishte vjehrra e Maks Velos që ndiqet nga ana jonë në P. Paraprak për agjitacion e propagandë. Gertruda u ankua për dhëndrin e saj Maksin, si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, madje edhe e rrahin. Gertruda është me kombësi austriake. Ajo, duke qarë, fliste me një urrejtje të madhe për Maksin dhe familjen e tij.

Për Maksin, ajo thoshte se është njeri hipokrit, egoist. Ndërsa për familjen e tij, familje aristokrate. “Më ka ndodhur – tha ajo – në ndonjë rast të shkoj te shtëpia e tyre dhe kam dëgjuar fjalët e së ëmës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertruda, qysh se është martuar me Maks Velon ka humbur fare. Ajo madje ka humbur dhe botëkuptimin e saj të mëparshëm. Megjithëse Maksi e trajton shumë keq, ajo përsëri e do atë. Qysh se është martuar me time bijë, Maksi nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, madje as tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy a tre muaj më ka sjellë në shtëpi vajzën me gjithë djalin dhe nuk interesohet fare për ta. Do që ta ndajë time bijë dhe guxon që ta padisë në gjyq. Me një fjalë, Maksi është një tip borgjezi që unë nuk gjej fjalë ta shpjegoj karakterin e tij. Ai tani më quan mua spiune, se gjoja kam dorëzuar dy libra të tij në Degën e Brendshme, që kanë përmbajtje jo të mirë. Unë me të vërtetë kam shpënë dy libra në Lidhjen e Shkrimtarëve që më janë dukur jo të mirë, por jo në Degën e Brendshme. Nuk e di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto. Madje, edhe ime bijë më thotë që po qe se do t’i ndodhë gjë Maksit, dije se kam për të të zhdukur ty. Ime bijë madje më ka goditur mua. Ajo është bërë si e luajtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ime ka rënë në një pesimizëm të madh saqë mua më zë meraku se ajo për shkak të Maksit mos kalon në vetëvrasje. Dua ta bind që të shtrohet në spital, por ajo nuk pranon me mua. I them që ta ndajë Maksin, por ajo përsëri nuk pranon”.
Punëtori operativ / Ropi Postoli/

Shënim: Maks Velo ka tentuar vazhdimisht nëpërmjet së bijës së Gertrudës që kjo të kërkojë në Austri nga e motra e saj për t’i dërguar plaçka atij. Tani si do ta lërë të bijën e Gertrudës? Tani ose ata të dy duan të shfrytëzojnë Gertrudën dhe formalisht bëjnë sikur nuk shkojnë mirë, ose me të vërtetë marrëdhëniet e tyre janë ashtu siç thotë Gertruda.
Punëtori operativ/ Ropi Postoli.

E SHOQJA
Dokumenti 45
DEKLARATË
Unë e nënshkruara Luçiana Naraçi deklaroj si më poshtë: Unë kam ardhur për të thënë në drejtim të Maks Velos, me të cilin kam qenë e celebruar dhe jemi ndarë në mars 1976 për motive: për qëndrime të huaja karshi gruas. Gjatë kësaj bashkëjetese kam konstatuar te Maksi se ishte i dhënë pas artit dekadent. Ai në shtëpi kishte piktura që për mendimin tim nuk i përgjigjeshin realizmit socialist. Pasi është dënuar Fadil Paçrami, Maksi është shprehur në një bisedë me familjen e vet, ku isha dhe unë prezente se: “Fadili qëndroi si burrat nuk e dha veten”. Në kohën që Maksi u dërgua për riedukim në fshat, thoshte se “mua më kanë dënuar kot, këta nuk dinë të vlerësojnë njerëzit, mua më hoqën se jam i zoti”. Lidhur me jetesën, Maksi shprehej se nuk na dalin lekët, megjithëse merrte 800 lekë në muaj dhe nuk kontribuonte asgjë për shtëpinë dhe për djalin. Ai thoshte shpeshherë se këtu nuk vlerësohet puna dhe arti, “të ishin këto piktura që kam bërë unë jashtë shtetit do të vlerësoheshin shumë. Ato do të kushtonin miliona”. Maksi ka pasur marrëdhënie me një franceze me të cilën mbante korrespondencë. Ajo i ka ardhur disa herë në shtëpi. Ka dalë në fotografi me të. Kjo ka marrë si dhuratë nga Maksi disa piktura, ndërsa Maksi ka marrë si dhuratë nga ajo libra të ndryshëm, midis tyre dhe një libër të Pikasos. Ka dalë jashtë Tiranës me të. Maksi shpeshherë më fliste për francezen dhe për jetën atje, që në Francë do të çmoheshin shumë veprat e Maks Velos, pasi aty çmohet çdo gjë ndryshe. Lidhur me veprat e Pikasos, Maksi thoshte që është piktor i madh botëror, thoshte “shiko sa të bukura janë pikturat e tij”. Në fakt, ato piktura nuk kishin asnjë vlerë edukative. Në shtëpinë e Maksit, në një rast ka ardhur edhe një grek, të cilin familja e Maksit i ka treguar studion e tij. Maksi ka lënë në shtëpinë e mamasë sime dy libra të karikaturistit francez Zhan Eifel, në gjuhën ruse. Këta libra tregojnë për krijimin e njeriut nga Zoti dhe krijimin e botës. Autori është reaksionar dhe këto i dorëzova në Drejtorinë e Brendshme. Maksi shprehej se autori është karikaturist nga më të mirët e botës dhe veprat e tij janë me vlerë. Në librat e të atit kam gjetur një fotografi të Maksit që ka dalë me vëllain në moshën e fëmijërisë të veshur ushtarakisht me uniformë fashiste duke përshëndetur me dorë. Këtë fotografi e kemi dorëzuar në Drejtorinë e Brendshme.
Deklaruese Luçiana Naraçi
Tiranë, më 16.III.1978

/Gazeta Shqiptare/