LAJMI I FUNDIT:

Dorëshkrime në margjina

Dorëshkrime në margjina
Jakup Ceraja

Nga: Halil Matoshi

Shkrim në margjina të librit tim, “Frymë varresh në dallgore”, botue nga “Bota e re”, në vjetin tashmâ të largët 1988, me recensentët Ibrahim Rugova, Agim Deva (dytë të dekun) dhe Milazim Krasniqi.


Shkrimi ma poshtë âsht shkru nga mendja dhe dora e poetit të ndjerë Jakup Ceraja, po më 1988.

Ai, në këtë shkrim, e vlerësonte naltë poezinë time, tue quejtun ‘poezi të vërtetë’!

Falemnderim e përkulje post mortem.

Mirënjohës për Brikena Ceraja – Bekën, vajzën e Jakup Cerajës, vet poete, që në njat tubë librash e kishte hasë edhe shkrimin eseistik të babës së saj në margjina të librit tim.

Jakup Ceraja, për veprën e Matoshit: Para dite, kur isha shumë i kthjellët në tru, kisha filluar ta lexoja një poet të ri, poezia e të cilit, duke qenë fort e mbyllur, ma turbulloi trurin dhe më fund më vuri dhe kurrsesi t’i bie në fund atij vëllimi me vjersha. Pas dite, kur trurin e kisha të turbullt dhe isha i ngarkuar me gjumë, vetëm për ta kaluar kohën në zyrë, fillova ta lexoj këtë vëllim me vjersha të këtij poeti të talentuar, kur për habi m’u kthjell truri dhe më iku gjumi e m’u hap një sfond i gjërë qielli të ndritshëm dhe ora 15, kur dilnim nga puna, ma ndërpreu leximin, të cilin e vazhdova sot, po me atë kthjelltësi. Ja çdo të thotë poezi e vërtetë. Kështu më së miri peshohet vlera e një poezue, e cila, si kjo e këtij vëllimi, ka një mbështetje të fortë me temë truallin, atdheun, popullin, të bukurën në të – në të kaluarën e të ardhmën – amshueshmërinë. Seç më kthjelli ky poet!