Televizioni gjermano-francez "Arte" ka transmetuar të dielën dokumentarin “Erëza të lashta, shpirt i ri”, që i kushtohet vreshtave të Kosovës dhe projekteve inovative të Ali Alijajt në Nivokaz të Gjakovës dhe Brikena Gashit në Drenoc të Rahovecit.

Arte njihet për dokumentarët me cilësi të lartë, të punuar me kujdes dhe kreativitet, dhe ky film përfaqëson një udhëtim të thellë në kulturën dhe traditat kosovare të vreshtarisë.


Publicisti dhe gazetari Enver Robelli ka shkruar në Facebook se dokumentari sjell një portret të gjallë të rinovimit të traditës kosovare.

Dokumentari prezanton Ali Alijajn, i cili pas dekadash qëndrimi në Zvicër, Portugali e Gjermani, është kthyer në Kosovë për të krijuar distilerinë “Vidasus” në Nivokaz. Ai kombinon teknologjinë perëndimore me erëza nga Alpet shqiptare dhe fruta mali, duke rikthyer traditën e prodhimit të pijeve alkoolike dhe duke synuar zhvillim ekonomik lokal.

“Ne kemi tokë të mirë dhe ujë të mjaftueshëm”, thotë Ali Alijaj në dokumentar. “Na duhet vetëm një shtytje e vogël që motori të ndizet”.

Ai synon që, krahas distilerisë ekzistuese, të ndërtojë distilerinë më të madhe në Ballkan, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut.

Alijaj, i cili angazhon vajzat dhe gratë në punëtoritë e tij, është një shembull i fuqizimit gjinor në një industri tradicionalisht të dominuar nga burrat.

Në dokumentar përfshihet edhe historia e Brikena Gashit, e cila ringjalli vreshtat e braktisura të familjes së saj në Drenoc të Rahovecit dhe u bë gruaja e parë në vend që prodhon brendin e saj të rakisë.

“Për mua, ky nuk është vetëm një vresht,” shprehet Gashi, “por një punë që trimëron gratë të bëjnë diçka që ka qenë për një kohë të gjatë e rezervuar vetëm për burrat”.

Përveç prodhimit, ajo planifikon të organizojë edhe një festival muzikor mes hardhive, për të promovuar kulturën dhe traditën e rajonit.

Dokumentari i regjisores Michaela Kirst sjell pamje të peizazheve mbresëlënëse të Kosovës – nga kullat e lashta e rrëfimet historike deri te malet që herë ledhatohen nga dielli, herë mbështillen nga mjegulla – duke nxjerrë në sipërfaqe një Kosovë përtej klisheve dhe duke treguar potencialin e saj për zhvillim ekonomik dhe kulturor. /Telegrafi/