Djali i Shahut të fundit të Iranit kërkon të marrë pushtetin, u dërgon mesazh me video iranianëve
Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit iranian Mohammad Reza Pahlavi, i cili u rrëzua gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, ka bërë përsëri thirrje për rrëzimin e regjimit aktual në Iran, duke theksuar "nevojën për mosbindje civile pa dhunë dhe një referendum mbi rendin e ardhshëm të vendit".
Në intervistat e kësaj jave, Pahlavi tha se ishte gati të udhëheqte tranzicionin drejt një rendi të ri politik, duke e quajtur atë "mundësinë më të madhe për të rrëzuar Republikën Islamike në katër dekada".
"Ky është momenti ynë historik", tha Pahlavi.
Në një mesazh video të postuar në rrjetin social X, Pahlavi tha: "Diskutimet tona rreth Iranit pas Republikës Islamike kanë filluar".
Ndërsa pak ditë më parë ai u kishte bërë thirrje qytetarëve iranianë që "t'i japin fund regjimit", shkruajnë mediat e huaja.
Bëhet e ditur se Pahlavi, i cili tani jeton në SHBA, gëzon mbështetje nga një pjesë e diasporës iraniane që mbështet një kthim në monarki.
Megjithatë, është e pasigurt se sa mbështetje do të kishte një ide e tillë brenda vetë Iranit, ku shumica e popullsisë as nuk kishte lindur kur babai i tij u largua nga vendi 46 vjet më parë.
Irani i sotëm është shumë i ndryshëm nga ai që Mohammad Reza Pahlavi la pas në vitin 1980. /Telegrafi/






























