Djali i Kadri Veselit reagon ndaj deklaratës së Kurtit

Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej liderëve historikë të UÇK-së, Kadri Veselit, Klestori Veseli, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në një emision televiziv tha se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) “ka disa kryetarë dhe disa prej tyre marrin instruksione nga Haga”.
Klestori e cilësoi këtë deklaratë si të pavend dhe aspak dinjitoze, duke thënë se ajo rëndon gjendjen emocionale të familjes së tij dhe të bashkëluftëtarëve të babait të tij, të cilët tash e disa vite po përballen me sfida të mëdha.
“Për familjen tonë dhe familjet e bashkëluftëtarëve të babait, që po ballafaqohemi me sfida jo të lehta tash e disa vite, deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë kryeministrit në detyrë”, shkroi ai në Instagram.
Ai shtoi se kryetari i PDK-së është Memli Krasniqi dhe se Kurti e çdo aktor tjetër politik nuk duhet të shmangin debatin politik konstruktiv.
“Kurti e kushdo tjetër në skenën politike, nuk kanë pse t’i frikësohen debateve konstruktive politike”, u shpreh ai.
Ndaj deklaratës së Kurtit, gjatë ditës së enjte ka pasur reagime./Telegrafi/

















































