LAJMI I FUNDIT:

Djajtë e zemërimit Tiranë-Prishtinë

Djajtë e zemërimit Tiranë-Prishtinë

Lorenc Vangjeli

Debati publik i ngjan ortekut. Nis papritur. Pa zhurmë dhe pa u ndjerë. Shpesh edhe pa ndonjë shkak të dukshëm. Por, kur zbret poshtë faqes së malit, bën hatanë dhe merr në qafë të gjithë dynjanë nën të. Dhe kur ndodh hataja, nuk ka pikën e vlerës gjetja e arsyeve që shkaktuan ortekun. Mund të jetë më së shumti çështje kurioziteti. Që të shmanget ripërsëritja, e rëndësishme është të shmangen arsyet që krijojnë ortek.

Kështu duket se po ngjet me debatin e fundit në dy anët e dy shteteve shqiptare të ndarë në Morinë për raportin mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Ka një ortek të vërtetë fjalësh që po zbresin me shpejtësi në nivele të panjohur më parë, po hapin sirtare kujtese të mbyllur më parë dhe po krijojnë histori shpinash të kthyera që nuk mendoheshin se ekzistonin më parë.


Sherri verbal publicistik, por me një sfond tashmë të fortë edhe politik, nuk ka nisur javën e shkuar të vizitës së Ramës në Serbi. Në rastin më të mirë ai do të mbyllet me kosto të përbashkët mërie e pakënaqësie të fortë këtej dhe andej Morinës. Djajtë e zemërimit, keqkuptimeve, vanitetit, revanshit, hierarkisë, pavarësisë, sherrit kushjetiekushjamunë, identitetit të njëjtë dhe indentiteteve të ndryshëm, djajtë me nëna idealiste e baballarë meskinë, me personazhe të mirë e të ligj, me naivë të thinjur dhe maskarenj të lindur, të koncesionuar “edhe parç, dhe mrapç”, a siç thuhet në Tiranë, e të tjerë e të tjerë, pra, gjithë këta djaj kanë dalë përfundimisht nga sëndukët.

Më shumë se pro e kundër vizitës së Ramës në Serbi, sherri ka të bëjë me raportin mes dy vendeve që kanë shqipen gjuhë zyrtare dhe raportet e secilit prej tyre me vetveten. Ato janë raporte jo të ngrira dhe vetëm zyrtare. Janë në dinamikë të plotë dhe në shumicën dërmuese të rasteve ato janë edhe një raport personal mes individëve që bëjnë politikë dhe krijojnë opinion në Tiranë dhe në Prishtinë.

Serbia është vetëm shkaku i dukshëm i kësaj here. Shkak mund të ishte, siç ka qenë dhe më herët, qëndrimi ndaj patateve, çimentos apo kamionëve me mallra që kalojnë doganën. Edhe në një rast të tillë nuk do të kishte ndonjë ndryshim të madh. Përveç faktit se edhe patatja, edhe çimentoja nuk janë shumë “trendy” për t’u debatuar. Por, edhe në rastin e parë, edhe në të dytin, debati që thekson ndarjen përpara bashkimit, shënjon diferencat më shumë se të përbashkëtat, ngjan me dilemën për seksin e engjëjve në Kostandinopojë. Kur turqit me pallë ngjiteshin në muret e qytetit, murgjërit e përkorë debatonin nëse engjëjt kishin apo jo seks. Në një botë që është bërë shumë herë më e komplikuar, në një rajon që ka qenë gjithmonë i trazuar, debate të tilla të stisuara e të helmuara mes faktorit shqiptar, lehtësia për të përdorur gjuhë urrejtjeje, ironie dhe diferencimi, janë një luks kriminal.

Eshtë e frikshme aftësia e pabesueshme qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, për t’u marrë me një lehtësi të padurueshme me tema dhe situata jashtëzakonisht delikate. Është si një sport kombëtar; si një argëtim me lodra zjarri në depo baruti me emocione.

E njëjta histeri ndodhi dhe në verë kur u debatua me zjarr për disa futbollistë që vendosën të luajnë me fanellën e Kosovës në futboll. Nëse ishin patriotë apo tradhtarë. U nis nga topi dhe përfundoi tek flamujt. Në fakt, të fyesh flamurin blu me yje nuk është një arsye që bën të duash më shumë flamurin kuqezi. Përkundrazi. Dashuria për Shqipërinë, për Kosovën dhe gjithçka tjetër nuk mund të jepet me koncesion. Në të janë të gjithë ata që dëshirojnë të jenë aksionerë në një ushtrim patriotizmi që nis, por nuk bitis me fjalë.

Për momentin, ka një teknologji budallallëku dhe interesi të vogël e meskin në themel të gjithë debatit plot me emocione negative. Një teknologji që e njohin të gjithë, që e dinë nga ka ardhur, që e kuptojnë si ka ardhur dhe si mund të shkojë, por që pak e thonë. Ambalazhi ka mërguar aq larg, sa thelbi po dallohet gjithmonë e më me vështirësi në një zjarr ku secili për lloj-lloj arsyesh dhe rreshtimi po hedh nga një shkarpë. Nevojitet në mënyrë urgjente uji i ftohtë i arsyes. Njëlloj si ai që mungoi shpesh edhe në debatin që shoqëroi vizitën e Metës në Athinë. Historitë me emocione dhe logjikë të pushtuar nga emocionet krijojnë reaksione zinxhir që mund të bëhen të vështirë për t’u kontrolluar.

Qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë dhe kudo gjetkë ku ka shqiptarë në rajon, nuk kushton asgjë të ëndërrohet. Problemi është se mund të ndodhë që zgjimi të paguhet shtrenjtë sa kohë mbahen sytë mbyllur përpara sinjaleve se mund të shkasin ortekët. Çfarë zbret, ndryshe nga temperatura që ngjitet, nuk ka arsye dhe nuk kontrollohet më nga arsyeja. Ka një urgjencë: arsyeja duhet të lëvizë në një aks të vetëm: identifikimi i asaj që bën bashkë dy anët e Morinës dhe jo pasqyra kineze ku Tirana e Prishtina po shihen vëngër dhe ndarazi. /javanews.al/