LAJMI I FUNDIT:

Ditari i ish-ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë: Unë, Gjenerali pa ushtri

Ditari i ish-ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë: Unë, Gjenerali pa ushtri

Është e pamundur të shmangësh kujtime dhe historitë që kanë të bëjnë me vitin e mbrapshtë 1997. Shaqir Vukaj ka shkruar një libër për historinë e Shqipërisë pas përmbysjes së diktaturës, të cilin e ka titulluar “Nga përgjakja e Shkodrës (prill 1991) tek gjakosja e Shqipërisë (pranverë 1997)”, i cili pritet të botohet së shpejti. Ish-ministri i Mbrojtjes rrëfen me sinqeritet ngjarjet e asaj kohe në vetë të parë, ashtu si i ka përjetuar. Pjesë të ditarit të tij të tri ditëve të stuhishme të marsit të përgjakshëm 1997, mund t’i lexoni më poshtë.

Si u emërova Ministër i Mbrojtjes


Ndiqja me shumë vëmendje zhvillimet tepër të vrullshme të atyre ditëve. Pavarësisht disa rezervave që kisha për marrëveshjen e arritur më 9 mars midis partive për krijimin e një qeverie të përbashkët, kjo ishte ndër rrugëdaljet e pakta nga qorrsokaku ku e kishte futur Shqipërinë qeverisja e mbrapshtë e Partisë Demokratike (pavarësisht se u pagua me pasoja tepër të rënda për Shqipërinë e me gjakun e mijëra bijve të popullit shqiptar). Më erdhi mirë që Bashkim Fino u zgjodh në postin e Kryeministrit. Për shumë arsye. E njihja prej disa vitesh. Ishte i ekuilibruar. Fliste me fjali të gjata, dhe shpesh herë, nëpërmjet fjalëve të shumta fshihte mendimin… Megjithëse i ri në moshë, si Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës për katër vjet, kishte punuar mirë dhe kishte fituar emër të mirë jo vetëm në Gjirokastër, çka na bënte nder ne si Parti Socialiste. Ndërmjet kandidatëve të Partisë Socialiste ishte ndër më të pranuarit edhe për PD-në (Presidenti nuk kishte pranuar dy apo tri kandidatura para tij).

Gjatë kësaj kohe po punohej për krijimin e Qeverisë, që u quajt “Qeveria e Pajtimit Kombëtar”. Përmendeshin emra të ndryshëm për ministra. As më shkonte mendja se mund të më propozonin mua, për më tepër, se me disa nga drejtuesit e partisë, të dalë nga Kongresi i fundit, nuk kisha marrëdhënie të mira, për më tepër, që në mbledhjen e Komitetit Drejtues, ku analizuam humbjen në zgjedhjet e pushtetit lokal, i kisha kritikuar rëndë dhe kisha folur ashpër për punën e tyre e dëmet e mëdha që i kishin sjellë partisë. Por pavarësisht nga këto, vazhdoja të angazhohesha rregullisht me punët e partisë.

Me datën 11 mars kisha shkuar në Shkodër për një punë timen. Aty takova disa të njohur, por më bëri përshtypje biseda me një të njohurin tim nga Malësia e Madhe. Ai më tregoi si e kishin mobilizuar dhe bashkë me disa të tjerë i kishin nisur për në Tiranë. I kishin sistemuar në Akademinë Ushtarake, i kishin armatosur dhe kishin dashur t’i nisnin në Jug për të luftuar. Kishin fjetur atë natë aty, të nesërmen kishin ikur pa i thënë askujt dhe ishin kthyer në Shkodër. Por, siç më tha ai, po kështu kishin vepruar dhe shumë “vullnetarë” dhe të mobilizuar nga rrethet e tjera të Veriut që, sapo merrnin vesh se do i çonin në Jug të luftonin kundër shqiptarëve, të nesërmen largoheshin nga Tirana. Nga dy autobusë që kishin shkuar nga Malësia e Madhe, kishin qëndruar shumë pak vetë, të tjerët ishin kthyer…

Nga dreka u nisa për në Tiranë me një makinë të rastit. Shoferi punonte si shofer autobusi në Akademinë Ushtarake. Rrugës më tregoi për disa ngjarje që kishin ndodhur ato ditë në Akademinë Ushtarake. Kur u afruam në Kamzë, rreth orës katër mbas dreke, pamë njerëz të armatosur me automatikë, pushkë, mitraloza, arka municioni në shpinë. Ishte një rrëmujë e vërtetë. Njerëzit po armatoseshin. Nuk po merrnim vesh ç’bëhej….

***

Sapo arrita në shtëpi, më thanë se më kishin kërkuar gjithë ditën në telefon nga Partia Socialiste. U lidha menjëherë dhe më thanë eja menjëherë, po të çojmë një makinë. Duhej të ishte diçka urgjente. Sapo arrita, gjeta pothuajse gjithë Kryesinë e Partisë. Rexhep Meidani më tha shkurt. Në qeverinë e re që po krijojmë kemi menduar të jesh Ministër Mbrojtje. Duam mendimin tënd.

Pa e zgjatur, i thashë, me që e keni menduar se jam i përshtatshëm, dakord.

Në praninë time, Namik Dokle mori në telefon Presidentin dhe i dha emrin tim për Ministër Mbrojtjeje. Ai kërceu menjëherë, kundërshtoi me forcë, madje përmendi Ali Kazazin si shkodran, të cilin PD-ja e kishte propozuar për Sekretar Shteti në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk e kuptova arsyen përse kundërshtoi aq shumë, si për asnjë tjetër, madje nuk e mora vesh kurrë. Namiku i tha shkurt, ne nuk kemi kandidaturë tjetër.

Shkova në shtëpi i qetë. Rrugës mendoja me vete: po unë ç’doja Ministër Mbrojtjeje? As zbore ushtarake të rregullta nuk kisha bërë, me që nuk më kishte kapur programi i asaj kohe, kur mbas Universitetit do bëje tre apo gjashtë muaj zbor. Le pastaj, që nuk kisha njohuri për problemet ushtarake. Megjithatë, thashë me vete, më mirë që ai nuk pranoi….

Rreth orës 19 e 45 më mori Namiku në telefon dhe më tha me atë humorin tij, e “gëzofsh”. Saliu u dorëzua, se ne nuk pranuam të jepnim kandidaturë tjetër. Në lajmet e orës 20 u dha përbërja e qeverisë, ku ishte dhe emri im.

E mërkurë, 12 Mars 1997

U paraqitëm të gjithë kandidatët për ministra në Presidencë, morëm Dekretet dhe sipas rregullit bëmë betimin. U larguam të gjithë bashkë dhe shkuam në zyrën e kryeministrit. Kisha hyrë edhe më parë në atë zyrë, kur ishte Aleksandër Meksi në atë karrige. Më bëri përshtypje se nuk kishte ndryshuar asgjë, nuk kishte bërë asnjë shpenzim për mobilime e salltanete, siç do të ndodhte më vonë me të gjithë ata që erdhën në poste drejtuese….

Mbas një takimi tepër të shkurtër dhe pak fjalëve që tha Fino, kryesisht për unitetin e punën që duhet të bëjmë për pajtim (as ai nuk dinte ç’farë të thoshte) u shpërndamë, secili në ministrinë e tij.

Më çuan me një makinë në Ministri të Mbrojtjes. Mbaj mend se me mua erdhi si shoqërues Sadri Ramçaj, oficer i Gardës, që deri atëherë kishte qenë në grupin e shoqërimit të Meksit. E njihja, se e kisha nga zona e ime.

Hyja në Ministri për herë të parë në jetën time, por tashmë si ministër. S’kisha pasur asnjë herë rast të shkoja në atë ndërtesë. Më priti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me dy të tjerë tek dera. Sapo hyra, siç e kanë ushtarakët, më pritën me nderime ushtarake. Mbas një bisede tepër të shkurtër, më raportuan se gjithë punonjësit e ministrisë janë të mbledhur dhe presin të paraqitesha si ministër para tyre.

Nuk njihja askënd. Me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm kisha një përshëndetje, siç kisha dhe me zv. ministrin Alfred Moisiu.

Më bëri përshtypje se sapo filluam mbledhjen, ngritën dorën përnjëherësh disa ushtarakë. I pari foli Kurt Gjika (Drejtoria e Stërvitjes) e pas tij me radhë Bajram Malaj (Drejtor i Policisë Ushtarake),Vladimir Beja (Komandant i Flotës Detare), Baki Bala (Drejtor i Komunikimit), Garip Lata (Grupi Special i Artilerisë), Alfred Moisiu (Zv/Minister i Mbrojtjes), Pëllumb Qazimi, Ahmet Osmani (Drejtor i armatimit), Adem Çobani (Shef i Shtabit të Përgjithshëm).

Nga të gjitha diskutimet shihej qartë se ushtarakët ishin goditur rëndë, ishin vrarë në shpirt, kishin rënë moralisht. Nga diskutimet e tyre, nga njëra anë po mësoja ç’kishte ndodhur ditët e para të marsit, deri atë ditë dhe si ishte katandisur ushtria, ose më mirë si kishte rënë e shkërmoqur ushtria. Reparte të shkatërruara, depo të grabitura, oficerë e ushtarë të ikur në masë, Gjendja sipas atyre që folën ishte katastrofike. Nga ana tjetër po mësoja si ishte e organizuar Ministria e Mbrojtjes.

Disa prej atyre që diskutuan sulmuan politiken, që sipas tyre e kishte katandisur ushtrinë në këtë gjendje. Ushtria, sipas tyre vazhdonte të ishte e politizuar, njëlloj si para viteve 90-të. Disa thanë, se politika e ndjekur ishte fajtore për gjithçka që kishte ndodhur në ushtri. Ushtrinë, thanë disa prej tyre e kishin mënjanuar krejtësisht, Ushtria nuk duhet implikuar në ato që kanë ndodhur kohët e fundit, sepse për gjithçka vendosnin njerëzit e ShIK-ut, madje ndonjëri e akuzoi SHIK-un edhe për disa vrasje, si ato të ndodhura në Përmet etj. Njerëz të SHIK-ut, u tha aty, kishin qëlluar edhe kundër ushtarëve e oficerëve, që sipas tyre nuk po kryenin detyrat. Njerëzit e ShIK-ut vazhdojnë të jenë të armatosur dhe paraqesin rrezik në ditët e sotme, thanë disa prej tyre. Në diskutimet e disave kishte mllef e urrejtje të thellë për SHIK-un.

***

Ushtria nuk ka qëlluar mbi popull. Por ajo nuk i mbrojti objektet sepse, nga njëra anë, urdhrat ishin kontradiktorë, nga ana tjetër, kush i mbron ushtarakët, sepse shteti nuk i mbron, ja për shembull, tha njeri prej tyre, prej pesë vitesh vazhdojnë gjyqet ndaj atyre që kanë zbatuar ligjin në mbrojtje të objekteve ushtarake…

Më bëri përshtypje të veçantë kërkesa e disave prej atyre që folën, për të thirrur e mobilizuar shumë prej oficerëve që ishin liruar nga reforma padrejtësisht ose kishin dalë në pension të parakohshëm, si rrugë për të ndihmuar për rregullimin e situatës në ushtri.

Mund të vazhdonim me orë të tëra, por situata ishte e tillë që duheshin masa konkrete dhe jo llafe. I dëgjoja me shumë vëmendje, duke mbajtur shënime të hollësishme për gjithçka që thoshin dhe, megjithëse deri atëherë nuk dija asgjë, ose dija shumë pak për përgatitjet e operacionin kundër Jugut, dhe doja të mësoja më shumë nga goja e tyre se ç’kishte ndodhur dhjetë ditët e fundit për përgatitjet dhe zbatimin e operacionit ushtarak, e mbylla mbledhjen.

Fola shumë shkurt, kryesisht për t’u ngritur moralin dhe për detyrat që kishim përpara. Ndërmjet tjerave theksova se tani nuk është koha për analiza. Ato do të bëhen më vonë dhe shtova: fajtorët do të gjykohen dhe sipas fajit do të marrin dënimin e merituar. (Dua të theksoj se dy ditë më parë, Kuvendi kishte aprovuar ligjin “Për amnistinë për personat civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltat pas falimentimit të skemave piramidale mashtruese”, ligj sipas të cilit faleshin edhe ata që kishin përgatitur planet mizore për të luftuar kundër popullit, apo që kishin bërë edhe krime. Me këtë ligj, gjoja për pajtim, thellohej edhe më shumë ajo që ishte bërë në vitin 1991, kur u aprovua Ligji i Amnistisë për të gjithë, përfshijë edhe hajdutë e kriminelë, ligje alla shqiptarçe, që nuk kanë sjellë pajtim, por falje për të gjithë këtë lloj kriminelësh ). Tani, u thashë, secili në krye të detyrës.

***

Më shoqëruan drejt zyrës. Nuk gjeta asgjë, asnjë dokument apo akt-dorëzimi siç janë rregullat, për më tepër në ushtri. Kërkova rregulloren e ministrisë, për të mësuar si funksiononte. Më thanë se ministria nuk kishte rregullore. E çuditshme, si ka funksionuar ajo pa një rregullore të brendshme. Dikur edhe në një ndërmarrje ekonomike kishim rregullore të brendshme pune, ndërsa gjithë kjo ministri, për më tepër e mbrojtjes, ku gjithçka duhet të bëhet me rregullore, nuk kishte as një copë letër për të rregulluar qoftë edhe marrëdhëniet midis drejtorive…

Mbi tavolinë gjeta vetëm dy Komunikata Operative të datave 11, dhe 12 mars, me shënimin “Sekret”. Nuk di si kishin mbetur aty. Në Komunikatën e dt.11 më bënë përshtypje raportimet për zhvillimet e datës 10 mars, ku ndërmjet tjerave thuhej:

“Shefi i Shtabit të BFU në orën 15 e 30 raportoi se të gjitha objektet e bazës janë grabitur. Gjithashtu bëri të ditur për sjelljen e keqe me qytetarët dhe ushtarakët, nga rezervistët e ardhur nga rrethet e tjera dhe që drejtoheshin nga punonjësit e SHIK-ut.

Rreth orës 19.15 Datë 10.03.1997, në grup depot e BFU Elbasan në Gramsh, u grumbullua një turmë e madhe njerëzish, të cilët pasi thyen rezistencën e efektivit që ruante objektin, hynë dhe grabitën armatimin, municionin e çdo gjë që ndodhej aty….

Efektivi i thirrur nga Degët e Mobilizimit Peshkopi, Bulqizë e Burrel të përqendruar në Tiranë, u kthyen brenda ditës së djeshme në rrethet përkatëse. Armatimin dhe municionet i kanë mbajtur me vete…

Në ora 20.00 rreth 100 vetë nga qyteti i Bajram Currit u grumbulluan para depove të armatimit e municionit të BrK në këtë qytet, ku kërkonin të merrnin armë. Efektivi, kuadër e ushtarë, ndaloi turmën të hyjë në objekt, e cila më vonë u shpërnda dhe situata u qetësua.

Ka pasur provokime nga persona të pa njohur, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri kundër batalionit të artilerisë të BrAP, D1K në Rrencë. Edhe rojet nga ana e tyre u janë përgjigjur me zjarr,. Pas këtij veprimi, provokuesit janë larguar me makinë”

Ndërsa në Komunikatën që fliste për ngjarjet e dt.11 mars thuhej:

Në orën 09.30 në BrK B.Curri të D2K, turma të shumta njerëzish pasi kishin tentuar disa herë, hynë në objektet e bk Limaj shpërthyen depot e armëve e municioneve duke marrë çdo gjë. Nga ora 11.00 deri në ora 12.00 turma të mëdha njerëzish thyen rezistencën e efektivave të bk Mollëkuqe dhe GrA Elezaj, hynë në repart duke shpërthyer depot e armëve e municioneve e duke marrë çdo gjë. Në orën 15.20 turma njerëzish u drejtuan tek grupdepot e DK në Dushaj (Fierzë) pasi kanë thyer rezistencën e rojeve të objektit hapën depot dhe morën armatim e municion.

Në ora 10.00 në bk Plepa të BrK Shijak u larguan nga reparti 68 ushtarë dhe 36 ushtarë të GrA Gërdec. Në orën 13.30 u larguan nga reparti 90 përqind e ushtarëve të Br Komando në Zall-Herr.

Në ora 15.15 turma njerëzish u grumbulluan në bk Meteor Kukës dhe kërkonin armë, ata nuk u bindën as nga sqarimet që bëri komandanti i BrK Kukës, as nga shkëmbimi i zjarrit e rojet e repartit, hynë në repart, shpërthyen depot dhe morën armatim e municion. Në orën 15.45 turmat e njerëzve shpërthyen dhe depot e Regj. AT në Bicaj dhe të bxh Lundër dhe bat. AKA Gostil të DK Kukës dhe morëm armatim, municion e ushqime. Gjithashtu në bk Krumë dhe objektin e Golajt turmat shpërthyen depot duke marrë armatim, municion e materiale të tjera.

Në orën 14.30 në bk Peshkopi të BrK Burrel po shpërndahej armatimi sipas listave të lajmërimit për 200 veta. Në këtë moment ka hyrë në repart një turmë prej 300 vetash që ka kërkuar të marrë forcërisht armë, por ndërhyrja e kapterit që shpërndante armët duke qëlluar në ajër ka bërë që turma të zmbrapset. Në orën 17.30 komandanti i BrK Burrel urdhëroi ndërprerjen e furnizimit me armë, por turma nuk largohet nga reparti. Në orën 18.45 thyen depot dhe morën armatim e municion dhe në orën 03.30 i venë zjarrin ndërtesës…….”

Komunikata vazhdon me thyerje e grabitje armatimi e municioni në Gjegjan, Qafë Shtamë, Bardhaj (Shkodër), Laç, Selishtë (Peshkopi) etj.

Bënte përshtypje njoftimi se “në Burrel dhe Peshkopi vazhdonte shpërndarja e armatimit dhe municionit sipas listave të lajmërimit”.

Më tërhoqi vëmendjen se grabitjet e thyerjet e depove ishin masive në Shqipërinë e Veriut (duket në Jug i kishin grabitur me kohë). Po ashtu, njoftohej për nisjen e turmave nga Bathore drejt reparteve ushtarake në Zall Herr, madje për shkëmbim zjarri midis turmës dhe ushtarakëve që mbronin repartet. Njoftohej për tre te plagosur. /Përgatiti për botim: Xhevdet Shehu/DITA/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori