Dita e ndeshjes: Kosova përballë provës vendimtare ndaj Sllovakisë në Bratislavë

Kombëtarja e Kosovës zbret sot (e enjte) në fushë për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet në udhëtim me Sllovakinë, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Sllovakët janë nikoqir të Kosovës në ndeshjen që pritet të zhvillohet në stadiumin “Tehelne pole”, me fillim nga ora 20:45.
Dardanët vijnë në këtë duel me moral të lartë dhe me besim të madh, pas përgatitjeve intensive dhe atmosferës pozitive që ka shoqëruar skuadrën gjatë ditëve të fundit. Stafi teknik ka punuar në çdo detaj, duke synuar një paraqitje të disiplinuar dhe efikase ndaj një kundërshtari të fortë në shtëpinë e tij.
Sfida në Bratislavë pritet të jetë e fortë dhe e luftuar, me të dyja skuadrat që synojnë vetëm fitoren për të siguruar një vend në finale, mes Turqisë ose Rumanisë.
Sllovakia do të mbështetet në publikun vendas, ndërsa Kosova do të kërkojë të shfrytëzojë momentin dhe cilësinë individuale për të bërë diferencën në fushë, por do të ketë edhe mbështetjen e një numri të madh tifozësh që kanë siguruar bileta.
Një fitore sonte do të ishte një hap gjigant për Kosovën drejt realizimit të ëndrrës për pjesëmarrje në një Kampionat Botëror dhe shpresojmë që ky të jetë hapi i parë para se të shkruhet historia në javën e ardhshme në Prishtinë. /Telegrafi/























































