Kosova sot ka shënuar Ditën e Kushtetues, miratimin e dokumentit themelor të shtetit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi rëndësinë e Kushtetutës për shtetin e Kosovës, duke e quajtur atë themel të demokracisë dhe një garanci të pathyeshme për liritë dhe drejtësinë.


“Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor të shtetit, që buron nga lufta çlirimtare dhe nga shpirti liridashës i popullit tonë. Pikërisht nga ky parim është ndërtuar një Kushtetutë moderne, që lartëson të drejtat e njeriut, garanton barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe siguron mbrojtjen e pakicave. Ajo është themeli i demokracisë sonë dhe gardiane e pathyeshme e parimeve të lirisë, drejtësisë dhe rendit kushtetues”, ka shkruar Haradinaj.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një ndryshim të thellë në qeverisje, duke kritikuar qeverinë aktuale për shkeljet e përsëritura të Kushtetutës, si dhe për vendimet arbitrare dhe antikushtetuese që janë marrë gjatë katër viteve të fundit.

Haradinaj kërkoi një qeverisje që respekton Kushtetutën jo vetëm formalisht, por edhe në çdo vendim dhe veprim të saj.

“Në katër vitet e fundit jemi dëshmitarë të një qeverisjeje që në mënyrë të përsëritur ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën, qoftë përmes vendimeve arbitrare e antikushtetuese, qoftë përmes mospërfilljes së hapur ndaj saj. Është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim, që e sheh ligjin si instrument për të shërbyer qytetarëve, e jo për t’i sunduar ata”, shkroi Haradinaj. /Telegrafi/