Ne (populli) kemi një përgjegjësi personale të cilën duhet ta pranojmë.

Nga: Sarah Ammoura / Medium
Përkthimi: Telegrafi.com


A mendoni ndonjëherë se pse ne njerëzorët shpeshherë tërhiqemi nga personat e fuqishëm?

A mendoni gjithashtu se pse disa janë të gatshëm të heqin dorë nga liria e tyre për hir të stabilitetit dhe mbrojtjes?

Nuk e di për ju, por mua më vlon gjaku sa herë dëgjoj dikë që flet me atë mentalitet absurd.

Ne gjithmonë nxitojmë t’i demonizojmë diktatorët, por duket se harrojmë përgjegjësinë që kemi për ekzistencën e tyre.

Kështu që mendova se duhet të ketë një lloj shpjegimi psikologjik për këtë dhe kisha të drejtë.

Paragjykimi i konfirmimit [Confirmation Bias]

Kjo është çështja kryesore. Është shpjegimi më i qartë për mbështetjen neveritëse të njerëzve ndaj diktaturave. Në thelb, ata janë të verbuar nga përtacia e tyre kognitive dhe diktatorët dinë saktësisht se si ta shfrytëzojnë këtë.

Paragjykimi i konfirmimit është një gjë shumë e zakonshme dhe mund të interpretohet si një “mendim dëshirues” që i bën njerëzit të priren të besojnë VETËM atë që duan të besojnë.

Pranimi i tyre i pakushtëzuar i çdo gjëje që ndërlidhet me diktatorin e tyre buron nga një “optimizëm i rremë”. Ata janë të sigurt në retorikën e liderit të tyre sepse e ndërlidhin atë me patriotizëm dhe drejtësi. Kështu që, nëse rastis të jesh kritik i liderit të tyre të madh, ti, natyrisht, konsiderohesh tradhtar.

Sado të përpiqesh t’u tregosh se sa të përhantë janë, ata rrinë prapa gënjeshtrave të tyre - të cilat tashmë i besojnë si të vërteta.

Diktatorët janë ekspertë të manipulimit. Ata e dinë saktësisht si ta shfrytëzojnë këtë lloj të të menduarit me lidhje të shkurt që është rrënjosur në shoqëri me nivele të larta injorance dhe analfabetizmi. Nëse lideri thotë “Unë po ju mbroj”, atëherë ata do ta besojnë, sepse një lider gjithmonë duhet të kujdeset për popullin e vet.

Sipas John M. Groholit në [ueb-faqen] Psych Central:

Është një nga paragjykimet më të fuqishme dhe më të rrezikshme njerëzore në psikologji, sepse shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se janë duke e bërë këtë.

Sindroma e Stokholmit

Është reagimi psikologjik përmes të cilit viktima fillon të identifikohet me agresorin. Diktatorët janë të aftë në shfrytëzimin e kësaj sjelljeje, e cila shpesh gjendet te njerëzit e cenueshëm dhe të pafuqishëm. Njerëzit që janë të dobët në aspektin shoqëror dhe ekonomik janë më të lehtët për t’u manipuluar dhe diktatorët janë mjeshtër në këtë.

Le të marrim si shembull një vend si Egjipti, ku ish-presidenti Hosni Mubarak e drejtoi vendin për tri dekada. Shumë vetë u mësuan me nivelin e shtypjes dhe brutalitetit të ushtruar nga regjimi i tij gjatë gjithë atyre viteve. Si pasojë, ata filluan ta shohin Mubarakun si një simbol të pushtetit dhe të udhëheqjes së pazëvendësueshme, sepse thjesht nuk njihnin diçka tjetër.

Kur revolucioni i vitit 2011 filloi në Egjipt, mbështetësit e tij dilnin në protesta dhe madje e quanin “hero”. Shumë nga ata njerëz të cenueshëm më vonë u ekspozuan se ishin blerë me ushqim ose para.

Kjo tregon se vitet dhe dekadat e abuzimit të qëllimshëm i mundësojnë shtypësit që më vonë të shfrytëzojë zhgënjimin dhe cenueshmërinë e viktimave duke i indoktrinuar ata që të besojnë në premtimin për një triumf mbi gjendjen e tyre të shtypur.

Gjithashtu, psikanaliza sugjeron se viktimat e shtypjes dhe abuzimit priren të zhvillojnë një identifikim me shtypësin si një mekanizëm mbrojtës:

“Përfshin viktimën që adopton sjelljen e një personi më të fuqishëm dhe armiqësor ndaj tyre”.

Në fund, besoj fuqimisht se arsyeja kryesore se pse disa njerëz bien pre e këtyre dinamikave shoqërore dhe psikologjike është mungesa e dijes. Dija është ura drejt një vendi më të mirë, ndërsa injoranca është arma më e fuqishme e një diktatori. Duke e varfëruar popullin dhe duke ia shkatërruar dinjitetin njerëzor, jam e bindur se rezistenca do të ishte gjëja e fundit që do t’u shkonte në mendje. Në fund të fundit, shqetësimi i tyre kryesor është bërë liria, thjesht për të jetuar - me dinjitet ose pa të.

Megjithatë, e vetmja kategori njerëzish që nuk dështojnë kurrë në këtë provë janë ata që janë të vetëdijshëm - ata që e dinë dhe e pranojnë se diktatorët nuk do të mund të ekzistonin pa ndjekësit e tyre.

/Telegrafi/