Në kuadër të Javës së Vajzave në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit, u mbajt ngjarja “DigiWomen Cluster – Java e vajzave në TIK 2025”, në ambientet e Kosova Innovation HUB në Pejë, e organizuar nga SheLeads në bashkëpunim me Girls in ICT Kosovo, STIKK dhe partnerë të tjerë.

Ngjarja mblodhi gra të suksesshme nga fusha e teknologjisë, biznesit dhe arsimit, të cilat ndanë përvojat e tyre personale e profesionale, sfidat si gra, nëna, udhëheqëse, por edhe triumfet që i kanë shënuar përgjatë viteve. Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe shumë studentë e studente të reja, të cilat u frymëzuan nga rrëfimet e panelisteve.


Në hapje të ngjarjes, Shpresa Metaj (CEO në NGN) tha: “Duhet të investojmë jo vetëm në edukimin teknologjik, por edhe në ndërtimin e vetëbesimit te vajzat e reja.” Ndërsa, Genta Carkaxhija (themeluese e shkollës digjitale në Pejë)  potencoi se përfshirja e grave në TIK është thelbësore për një zhvillim të barabartë dhe të qëndrueshëm: “Kjo është më shumë sesa një çështje gjinore – është çështje zhvillimi.”

Paneli kryesor “Mindset që thyen barrierat në botën e vajzave në Teknologji dhe Sipërmarrje”, i moderuar nga Zana Tabaku (APPDEC), solli rrëfime thellësisht personale dhe motivuese:

Arizona Berdynaj (Cynora Technology): “Si nënë dhe si drejtuese, kam mësuar se çdo kufizim është i kapërcyeshëm kur beson në veten.”

Dafina Galani (Imbus Peja): “Kam ndërtuar një karrierë në një ambient ku gratë ishin të paktë – sot jam këtu për t’i dhënë zë të rejave.”

Valentina Gara Humolli (GEG Limak): “Ka qenë e vështirë të përqafohet inovacioni kur je grua në një sistem tradicional, por këmbëngulja bën dallimin.”

Alma Shehu (Prorektore në Universitetin “Haxhi Zeka”): “Gratë akademike duhet të jenë zëri i ndryshimit për studentet që duan të ndjekin teknologjinë.”

Në sesionin interaktiv “Çfarë të ndalon dhe çfarë të shtyn përpara?”, pjesëmarrëset ndanë motivet e tyre personale dhe pengesat që i kanë tejkaluar:

Albina Kelmendi (Elkos Group): “Gratë janë motori më i nënvlerësuar i zhvillimit ekonomik – dhe kjo duhet të ndryshojë.”

Diana Burri (DOTT.one): “Kemi nevojë për më shumë hapësira që i dëgjojnë gratë dhe i inkurajojnë të rrezikojnë.”

Zana Curri (xilancia): “Kemi nevojë për më shumë vajza në softuer, jo vetëm si përdoruese, por si krijuese të zgjidhjeve.”

Në fund të ngjarjes, Rron Kumonva nga Innovation Centre Kosovo prezantoi programin “Erasmus për Ndërmarrësit e Rinj”, si mundësi për të rinjtë që synojnë të zhvillojnë biznese me përmasa ndërkombëtare.

Ngjarja u mbyll me një sesion rrjetëzimi, ku pjesëmarrëset – përfshirë studentet dhe profesionistet e reja – patën mundësinë të lidhen me gra që kanë ndërtuar karriera të suksesshme, duke ndarë ide dhe nisma të reja.

“DigiWomen Cluster” u vlerësua si një ngjarje që jo vetëm që frymëzon, por edhe fuqizon vajzat dhe gratë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në teknologji dhe sipërmarrje – përtej çdo barriere./Telegrafi/