Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e thellë për situatën e vështirë në të cilën po kalojnë numër i madh i bizneseve shkaku i bllokadës që sipas tyre ka shkaktuar Ligji për Pronën Publike.

Në punëtorinë njëditore për mbështetjen e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në zbatimin e Ligjit të Pronës Publike, drejtori i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, anëtari i Bordit, Idriz Zejnullahu dhe konsulenti i Dhomës, prof. Mazllum Baraliu, kanë renditur numrin e madh të shkeljeve ligjore dhe dëmeve të mëdha ekonomike për shumë biznese.


Drejtori Ahmeti ka deklaruar se pos bizneseve vendëse, edhe investitorët e jashtëm janë prekur nga kjo bllokadë, duke rrezikuar vendin të përfundoj në procese arbitrazhi e gjithashtu edhe në krijimin e një pasqyre tejet negative për investimet e jashtme.

"Zyrtarët e Dhomës kanë thënë se kriza e gjatë institucionale, vetëm sa ka thelluar telashet e bizneseve, duke ulur kapacitetet e punës, duke rrezikuar numër të madh të punëtorëve dhe në anën tjetër duke kontribuar që të rritet me shpejtësi importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut", thuhet në njoftimin e DHTIK.

Gjithashtu, shumë biznese nuk kanë mundur të realizojnë investimet dhe bashke investimet me partnerë të jashtëm në ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike, të cilat janë shumë të nevojshme për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.