LAJMI I FUNDIT:

Dhënia e telefonit të mençur fëmijës është njësoj sikurse t’ia jepni një gram kokainë

Dhënia e telefonit të mençur fëmijës është njësoj sikurse t’ia jepni një gram kokainë

Një nga top terapistët e çështjeve të varësisë ka thënë se dhënia e telefonit të mençur fëmijës është njësoj sikurse t’ia kishit dhënë një gram kokainë.

Sipas një konference të mbajtur në Londër, koha e shpenzuar duke shkëmbyer mesazhe me miqtë në ‘Snapchat’ dhe ‘Instagram’ mund të krijojë varësi po aq të madhe te tinejxherët sa drogat dhe alkooli, prandaj edhe duhet të trajtohet si çështje tillë, transmeton Telegrafi.

Specialistja Mandy Saligari ka thënë se koha e shpenzuar pranë ekraneve shpeshherë injorohet si problem, por, siç thotë ajo, kur jeni duke ua dhënë fëmijëve tabletin apo telefonin e mençur, faktikisht jeni duke ua dhënë një shishe verë ose një gram kokainë.

Komentet e saja vijnë pas lajmeve të fundit ku thuhet se fëmijët po aq të ri sa 13-vjeçar janë duke u trajtuar për varshmëri nga teknologjia digjitale – ku një pjesë e madhe e të rinjve e pranojnë se nuk kanë balancim të mirë mes kohës së shpenzuar para ekraneve dhe aktiviteteve tjera.

Veç kësaj, një anketim tjetër i fundit me më shumë se 1,500 mësues ka zbuluar se 33% e tyre kanë qenë të vetëdijshëm se nxënësit po shkëmbejnë përmbajtje seksuale me njëri-tjetrin, e një pjesë e tyre janë edhe nxënës të shkollave fillore.

Pra, përveç se teknologjia është duke krijuar varshmëri të madhe te tinejxherët, ekziston edhe rreziku i keqpërdorimit të pajisjeve duke shkëmbyer përmbajtje seksuale, gjë e cila mund të shpijë deri te publikimi i atyre imazheve/videove nga një palë e tretë dhe të dëmtohet reputacioni i fëmijës, si dhe të shkaktohen shumë probleme tjera. /Telegrafi/