Në gjykimin për vrasjen e policit Triumf Riza ndaj Ilir Abdullahut, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, dëshmitari i sjellë nga burgu, Shpend Qerimi, tha se gishtin për gjuajtje me armë e kishte ngritur Arben Berisha, ndërkaq organizimin e kishte bërë grupi Sekiraqa.

“Gishtin e alltisë e ka ngritur Arben Berisha, por organizimin e ka bërë grupi Sekiraqa”, tha Qerimi.


Më tutje, Qerimi deklaroi se grupi Sekiraqa ishte grup i strukturuar kriminal, i organizuar në formë piramide, me në krye Enver Sekiraqën, ndërsa më poshtë ishin miqtë më të ngushtë të tij, si Ilir dhe Rrahim Abdullahu, Sali Sekiraqa e të tjerë.

Sipas tij, ky grup kishte financuar si paradhënie Arben Berishën në vlerë prej 50 mijë euro për realizimin e vrasjes.

Qerimi tha se për këto rrethana di nga përgjimet dhe raportet policore që ishin hartuar, pjesë e të cilave deklaroi se kishte qenë edhe vetë.

Gjithashtu, ai shtoi se pas vrasjes, Berishës i ishte premtuar edhe ndërtimi i shtëpisë nga grupi Sekiraqa.

Qerimi deklaroi se personalisht kishte marrë në pyetje Enver Sekiraqën për një rast tentim-vrasjeje. Ai shtoi se grupi Sekiraqa nuk kishte vepër penale që ekziston në Kod që nuk e kishin kryer, si shantazh, tentim vrasje e të tjera.

Për këtë grup, Qerimi tha se nuk ka nevojë të zhvillohen shumë hetime, pasi sipas tij mjafton të shihet veprimtaria e tyre në Prishtinë për të kuptuar natyrën e grupit.

Ai shtoi se në ditën kritike të 30 gushtit 2007, kur u vra Riza nga Berisha, dy të akuzuarit Ilir dhe Rrahim Abdullahu ishin të pajisur me armë AK-47, në rast se vrasja nuk realizohej nga Berisha.

Gjithashtu, Qerimi deklaroi se një kamarier i kafes “Sekiraqa” e njoftonte grupin për lëvizjet e Rizës. I pyetur se nga i di këto detaje, ai tha se inteligjenca e Shërbimit Policor kishte një person të infiltruar në këtë grup.

Paraprakisht dëshminë e dha edhe Besik Hasani, i cili grupin Sekiraqa e quajti bandë kriminale. Për Ilir Abdullahun, Hasani tha se ka qenë krahu i djathtë i Enver Sekiraqës.

“Ilir Abdullahu ka qenë krahu i djathtë i Enver Sekiraqës”, tha Hasani.

Tutje, Hasani deklaroi se i ndjeri Riza kishte pasur probleme me Enver Sekiraqën edhe para vrasjes. I paralajmëruar nga gjykatësi i rastit, Avi Syla, që të mos përdorë terma si “kriminel”, Hasani u përgjigj: “O vallahi mos më u lut, gjyqtar, se është kriminel me letra”.

Hasani përmendi edhe emra të tjerë, duke thënë se kishin përndjekur Rizën dhe kishin pasur probleme me të edhe më herët.

Ai shtoi se Riza vazhdimisht kishte pasur shqetësime nga grupi Sekiraqa dhe se armët, sipas tij, ishin futur përmes Fjolla Morinës.

Hasani rrëfeu se grupi kishte tentuar, përmes një motre medicinale – që sipas tij ishte ish e dashura e Ilir Abdullahut – të verifikonte në morg nëse Riza kishte vdekur, por ai tha se e kishte njohur infermieren dhe e kishte ndaluar.Më pas, gjykimi u ndërpre.

Paraprakisht, mbrojtësi i Ilir Abdullahut, avokati Ramë Dreshaj, kërkoi ndërprerjen e paraburgimit ndaj klientit të tij, duke propozuar ndonjë nga masat më të buta.

Prokurorja Arbresha Shala kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se qëndronte në arsyet e njëjta të paraqitura edhe më herët.

Ndryshe, mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Avni Syla me arsyetimin se gjykatësi e kishte axhë pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi. Por, më 1 tetor 2025, këtë propozim të mbrojtjes, Gjykata Themelore e ka refuzuar.

Ndryshe, kjo lëndë gjykohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, por me avancimin e tij lënda i kishte kaluar për gjykim te gjykatësi Avni Syla.

Në seancën e 21 shkurtit 2025, kryetari i trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës së Rrahim Abdullahut me atë të Ilir Abdullahut, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës. Në atë seancë, i akuzuari Rrahim u deklarua i pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati./Betimi për Drejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.