Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, ka publikuar në rrjetet sociale një pamje ajrore nga zona e Darëzezës, të cilën e ka cilësuar si një prej peizazheve më të bukura të vendit.

“Fundjavë të mbarë me këtë peizazh të bukur në Grykderdhjen e lumit Vjosa”, ka shkruar ajo në përshkrimin e fotos, duke ndarë një pamje të realizuar me dron.


Megjithatë, ajo që bie në sy në pamje është një derdhje e dukshme masive e naftës në ujë, e cila ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, për shkak të kontrastit mes përshkrimit dhe realitetit që ofron imazhi.

Për momentin nuk ka reagim zyrtar nga deputetja lidhur me derdhjen e naftës që duket qartë në foto, as ndonjë sqarim nga institucionet mjedisore.

Ngjarja ka nxitur shqetësime për ndotjen mjedisore në zonën e ndjeshme të grykëderdhjes së Vjosës, një nga pikat më të rëndësishme ekologjike të Shqipërisë.