Deputeti gjerman: Sulmi terrorist në Zubin Potok ishte në stilin rus, kërkohet inteligjencë e plotë
Deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Ai e cilësoi këtë sulm si të ngjashëm me stilin rus dhe theksoi nevojën për një hetim të plotë për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.
"Është turp që organizatori i agresionit në Banjskë, Milan Radoiçiq, vazhdon të shijojë lirinë e tij në Serbi", shkroi Hacker në platformën sociale "X".
Tutje e krahasoi këtë sulm me veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës kërkon vëmendje dhe inteligjencë të plotë.
Pas incidentit, autoritetet kosovare dhe ambasadorët e QUINT-it reaguan menjëherë, duke dënuar sulmin dhe duke shprehur mbështetje për Kosovën.
Ata bënë thirrje për sjelljen e autorëve para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin "e tmerrshëm" që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë "nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet".
Pas sulmit në Ibër-Lepenc, arrestohet edhe një i dyshuar - sekuestrohen armë dhe dokumente në Zveçan
Kryeministri Albin Kurti, mbajti një konferencë urgjente dhe më pas zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.
Gjithashtu, në orët e para të mëngjesit, u mblodh Këshilli i Sigurisë për të diskutuar mbi situatën.
Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.
Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që "përgjegjësit duhet të japin llogari”./Telegrafi/




























