LAJMI I FUNDIT:

Denoncimi i Nesti Angonit për Veliajn, Berisha: Letra erdhi nga burgu i Fierit

Denoncimi i Nesti Angonit për Veliajn, Berisha: Letra erdhi nga burgu i Fierit

Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën për media të së premtes përveçse mori në mbrojtje SPAK-un përballë sulmeve të kryeministrit Edi Rama, u ndal edhe te denoncimi i personazhit Nesti Angonit që çoi pas hekurave Erion Veliajn.

Sipas liderit të opozitës pas emrit të denoncuesit qëndron ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, i cili ndodhet në burgun e Fierit.

“Edi Rama e përgatiti arrestimin. Tani vijmë te Nesti Angoni. Letra ka ardhur nga burgu i Fierit. Bistri është në burgun e Fierit që ta dini ju. Por Bistrin nuk e zbërthyet. Më vjen keq që media e kaloi Bistrin në mënyrë shumë sipërfaqësore. Por Bistri ishte një supermafioz, më i besuari për Ramën, sepse Bistri kishte vendosur sistemin e regjistrimit të zyrtarëve të tjerë, jashtë procedurave. Ai kishte vendosur një sistem të veçantë përgjimi dhe u zbulua. Dhe në letrën e Angonit ka të dhëna të qarta të regjistrimit të telefonave të Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, por jo vetëm bashkëshortes, por edhe bashkëpunëtorëve të tij, nga Bistri”, tha Berisha.


Më tej, kreu i PD pretendon se kryeministri Rama “ia përgatit gropën” kreut të bashkisë së Tiranës. Por Berisha shprehet se plani ka qenë që Veliaj të përfundonte në arrest shtëpie dhe jo pas hekurave.

“Nuk ia preu mendja se prokurori dhe gjykatësi, me ato çka servirën vetë këta, nuk i serviri opozita ato, dosjet tona i mbyllin ata, nuk pyesin fare. Ato që paraqiti qeveria e fundosën Erion Veliajn. A e dëshironte Edi Rama sot në burg atje ku është? Jo, se e sheh vetën e vet. Rama e ka kuptuar se kjo dosje që kam unë këtu, që ka qindra… ja qindra fatura, është dhjetë herë më voluminoze për Ramën dhe Ramicën. Rama e ka kuptuar se me Veliajn i bëri gropën vetes”, deklaroi Berisha.