Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka ngritur zërin kundër, siç e quajti ajo, heshtjes së institucioneve të shtetit përballë ngjarjeve të rënda që kanë prekur qytetarët e Kosovës – arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu në Serbi dhe vdekjen tragjike të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.

Deliu nga foltorja e Kuvendit theksoi se rasti i Spahiut, i cili sipas saj po mbahet padrejtësisht në paraburgim nga autoritetet serbe, ka kaluar pa reagimin e duhur nga institucionet e vendit.


“Institucionet heshtin për ish-policin i cili mbahet padrejtësisht në institucionet e paraburgimit në Serbi. Heshtja, fatkeqësisht, po bëhet pjesë e politikës së jashtme, ndërkohë që qytetarët tanë janë gjithnjë e më të pambrojtur, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Kosovës”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së kritikoi ashpër edhe mënyrën se si u trajtua publikisht rasti i Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta në Lipjan.

Ajo u shpreh e indinjuar që asnjë zyrtar nuk ka marrë përgjegjësi, nuk ka pasur dorëheqje apo reflektim institucional.

“Në vend të ndjeshmërisë, pamë një ministër në largim që qesh përballë pyetjeve të gazetarëve, ndërkohë që një familje po përjeton dhembje të thellë për humbjen e një të riu. Ky është shteti i Albin Kurtit – ku një njeri i vetëm sillet si më i larti, më i rëndësishëm se Kushtetuta, më i vlefshëm se ligji dhe më i fuqishëm se vetë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Në emër të PDK-së ajo i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të “zbresë në tokë” dhe të heqë dorë nga inatet personale.

“Të respektojë rendin kushtetues dhe demokratik, e të reflektojë njëherë e përgjithmonë”, përfundoi ajo. /Telegrafi/