Me ftesë të kryetarit të qytetit italian Ferrara, Alan Fabbri, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Vatra” të komunitetit shqiptar në Itali, një delegacion nga Komuna e Gjakovës realizoi një vizitë zyrtare në këtë qytet historik.

Delegacioni u kryesua nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjakovës, Arbënesha Kuqi, ndërsa pjesë e këtij delegacioni ishin edhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adea Roka Pylla, drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi, dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ferdinand Kolaj.


Në Ferrara, ata u pritën nga Franceska Savini, drejtoreshë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të tjeë të institucioneve lokale që mbulojnë fushat e arsimit, kulturës dhe trashëgimisë.

Gjatë takimeve, delegacioni nga Gjakova prezantoi potencialet kulturore, arsimore dhe ekonomike të qytetit, duke diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit konkret dhe binjakëzimit mes dy komunave.

Palët theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta në fusha si arsimi, kultura, rinia dhe zhvillimi ekonomik.

Në kuadër të kësaj nisme, pritet që së shpejti të nënshkruhet edhe Pakti i Miqësisë ndërmjet kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe homologut të tij nga Ferrara, Alan Fabbri, hap ky i cili  të formalizojë fillimin e procedurave për binjakëzimin mes dy qyteteve.

Theksojmë që Ferrara është një ndër qytetet më të rëndësishme historike të Italisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1995, me rreth 131 mijë banorë dhe shumë ngjashmëri kulturore me Gjakovën.