Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, mori pjesë në Takimet Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Washington D.C., ku zhvilloi një sërë takimesh me krerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Gjatë takimeve me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li, dhe Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, z. Alfred Kammer, u prezantuan zhvillimet makroekonomike të Kosovës dhe progresi në reformat strukturore dhe financiare. FMN vlerësoi përparimin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm.


Në takime me Presidentin e Bankës Botërore, z. Ajay Banga, dhe Zëvendëspresidenten për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Antonella Bassani, u diskutua mbi projektet për zhvillimin e sistemit të pagesave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Guvernatori Ismaili falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen në procesin e integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Guvernatori Ismaili u takua edhe me Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane, znj. Christine Lagarde, me të cilën diskutoi për procesin e para-aplikimit për SEPA dhe reformat në sektorin financiar të Kosovës, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme nga BQE.

Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni zhvilloi takime edhe me drejtuesit e FMN-së në departamente të ndryshme për të diskutuar për asistencën teknike, zhvillimin e modeleve makroekonomike, mbikëqyrjen financiare dhe përforcimin e qëndrueshmërisë makro-financiare.

Guvernatori Ismaili gjithashtu mori pjesë në takimet e Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), në takimet rajonale për Evropën dhe Ballkanin, si dhe në forume të nivelit të lartë ku prezantoi rrugëtimin e Kosovës drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të integruar globalisht.

Ky angazhim i BQK-së shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e rolit të Kosovës në forumet financiare globale.