LAJMI I FUNDIT:

Deklarohen të pafajshëm 28 të akuzuar në rastin e “patentë shoferëve”

Deklarohen të pafajshëm 28 të akuzuar në rastin e “patentë shoferëve”

Në seancën fillestare, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 28 nga 31 të akuzuarit në rastin e njohuri si “patentë shoferët”, janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Në këtë rast, fajësinë për korrupsion dhe vepra tjera penale nuk e pranuan: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, si dhe Enver Fazliu.


Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e kanë bërë pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza, por me kërkesë të mbrojtëses së të akuzuarit Shaban Zuka, avokates Shemsije Sheholli, prokurori Bashkim Zeqaj lexoi pikën e aktakuzës lidhur me të mbrojturin e saj.

Gjykatësja Fatime Dermaku njoftoi palët se kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.

Në këtë rast, bashkë me 28 të lartpërmendurit po akuzohen edhe Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu, për të cilët procedura penale ndaj tyre është veçuar (për secilin veç e veç).

Gjykatësja Dermaku mori aktvendim përmes të cilit seancën lidhur me marrëveshjen e pranimit të fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Burim Jashari, e caktoi që të mbahet më 11 shtator 2023.

Kurse, për të akuzuarin Ejupoi, gjykatësja Dermaku seancën fillestare e caktoi më 29 qershor 2023, kurse për Bashkim Jetullahun, e ka veçuar procedurën pasi që i njëjti gjendet jashtë vendit.

Paraprakisht, në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Fejzullah Ejupi, avokati Behar Ejupi, njoftoi gjykatën se Prokuroria nuk e kishte përmbushur kushtin ligjor dhe nuk e kishte pajisur të njëjtin me shkresat e lëndës. Ai i kërkoi gjykatës të urdhërojë Prokurorinë që t’i pajisë të njëjtit me shkresa.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mes periudhës kohore nga data 17 prill deri më 5 korrik 2019, në dispozitivin e parë thuhet se  i pandehuri Naser Llugaliu në pozitën e koordinatorit të Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë, e pandehura Filloreta Ajvazi në pozitën e asistentes administrative të kësaj qendre, i pandehuri Fejzullah Ejupi në pozitën e zyrtarit administrativ në këtë qendër, i pandehuri Shaban Zuka në pozitën e rojës së sigurimit pranë kësaj qendre, të pandehurit: Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkovic, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu, në pozitën e ekzaminerëve të provimit teorik apo praktik në kuadër te Ministrisë se Infrastrukturës, që të gjithë persona zyrtar në vazhdimësi duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë kaluar kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Tutje sipas aktakuzës, gjatë zbatimit të masave të fshehta, është gjetur se të lartcekurit kanë bërë korrigjimin e testeve teorike nëpër zyra, pa monitorim të kamerave dhe pa komision mbikëqyrës në kundërshtim me udhëzimin e detyrueshëm administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë mundësuar kalimin e kandidatëve për patentë shofer pa i plotësuar poenat e paraparë për kalueshmëri, ku kandidatëve të caktuar iu kanë plotësuar testet teorike si dhe në disa raste kanë ndërhyrë në testet e kandidatëve, me qëllim që të njëjtit të kenë pikët e nevojshme për të kaluar testet për patentë shofer të kategorive të ndryshme, e po ashtu edhe kryerjen e provimit në pjesën praktike, në këtë mënyrë vetes i kanë sjellë përfitime materiale, ndërsa kandidatëve për patentë shofer i kanë mundësuar që të kalojnë testin teorik pa e arritur kalueshmërinë e paraparë me udhëzim administrativ, në disa raste duke i lënë testet e zbrazëta.

Të njëjtit, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 414 në vazhdimësi dhe bashkëkryerje nga neni 31 dhe 77 i KPRK-së.

Tutje, në diapozitivin e dytë, të pandehurit Avdush Topalli dhe Premtim Topalli, në kohën, vendin sikurse në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri i parë pronar i Autoshkollës “Flora” me seli në Prishtinë, ndërsa i pandehuri i dytë në pozitën e instruktorit në këtë autoshkollë, njëherë edhe djali i të pandehurit të parë, që të dy në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar me qëllim që të veprojnë në shkelje të detyrës gatë ushtrimit të veprimtarisë se tyre ekonomike, ashtu që iu kanë mundësuar kandidateve të cilët kanë qenë të interesuar për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, e kryesisht të kategorisë “D” të pajisjen me patentë shofer, duke iu marrë të holla nga 400 deri në 1 mijë euro.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se, të njëjtit në bashkëpunim edhe me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Departamenti i Patentë Shoferëve në Prishtinë, të pandehurve të lartpërmendur iu kanë mundësuar kandidatëve të kryejnë testin praktik dhe teorik duke iu dhënë të holla, ku nga aplikimi i masave të fshehta, të pandehurit e lartcekur është gjetur se më 25 maj 2019 kanë biseduar me kandidatin, F.B. dhe janë marrë vesh që për pajisje me patentë shofer të kategorisë “D”, kandidati duhet të paguajë 1 mijë euro, duke përfshirë në këtë edhe testin praktik dhe teorik, si dhe nxjerrjen e certifikatës mjekësore pa qenë fare prezent kandidati për kryerjen e kontrolleve mjekësore, ku të njëjtën datë kandidati i ka paguar avans 200 euro dhe pjesën tjetër ka pasur të paguajë me rastin e marrjes se rezultatit pozitiv, ku më 5 korrik 2019 kandidati në fjalë ka hyrë në testin teorik, mirëpo për shkak të disa zhvillimeve të brendshme në Departamentin e patentë shoferëve nuk ka kaluar testin teorik.

Të njëjtit, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer verën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” neni 309, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë thuhet se e pandehura Flora Ferizi, në kohën dhe vendin sikur në pikën e parë të dispozitivit, në cilësinë e asistente administrative në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, nuk e ka lajmëruar veprën penale të cilën e ka mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit, pasi që nga zbatimi i masave të fshehta ishte gjetur se në prani të saj testet teorike ishin korrigjuar dhe mbushur jashtë sallave të provimeve, pa monitorim të kamerave dhe pa komision, si dhe kishte qenë prezent kur kishin ndodhur shumë veprime inkriminuese nga të pandehurit Naser Llugaliu, Agim Restelica dhe Flamur Lekaj, të përshkruara në transkriptimin e bisedave të nxjerra nga zbatimi i masave të fshehta, sikurse e njëjta kishte kontaktuar edhe të pandehurin Avdush Topalli përmes telefonit, ashtu sikurse është gjetur nga ekzaminimi i telefonit të së njëjtës.

Për këto veprime, e njëjta ngarkohet se ka kryer verën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, të pandehurit Avdush Topalli, Premtim Topalli dhe Burim Jashari, në kohën dhe vendin sikur në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, të pandehurit kanë lëshuar dokumentin në emër të personit tjetër pa autorizimin e tyre, respektivisht certifikatën mjekësore në të cilën figurojnë edhe nënshkrimet e mjekëve  I.B., A.K. dhe H.J., në atë mënyrë që i pandehuri i tretë në cilësi të menaxherit në Ordinancën “Truri” me seli në Prishtinë, në bashkëpunim edhe me të pandehurin e parë Avdush Topalli dhe të pandehurin e dytë Premtim Topalli instruktor iu ka mundësuar kandidatëve që të pajisen me certifikata mjekësore pa qenë prezent fare.

Me këtë rast, të njëjtit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale rastet e “Posaçme të falsifikimit te dokumenteve” nga neni 391, par.1, pika 1.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të pestë të kësaj aktakuze, thuhet se të pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Beja më 15 maj 2019, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë mënyrë që në cilësinë e personave zyrtarë, të dytë zyrtarë policorë në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ashtu që pandehuri Naim Thaqi, derisa ka qenë në takim në zyrë me të pandehurin Naser Llugaliu, i cili mbante pozitën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shofer në Prishtine, fillimisht e njofton atë në lidhje me një rast i cili ishte duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, i cili rast ishte dhe atë duke e njoftuar në hollësi në lidhje me atë se çka kishte deklaruar në polici personi i dyshimtë si dhe duke e udhëzuar të pandehurin Llugaliu si të veprojë nëse i kërkohet ndonjë dokument në lidhje me këtë rast.

Po ashtu, thuhet se i pandehuri i parë e njofton të pandehurin  Llugaliu se në bazë të tremujorit ata kanë kërkuar edhe 60 ditë shtesë, ndërsa i pandehuri dytë më 25 qershor 2019, në bashkëveprim me të pandehurin e parë, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, i pandehuri i dytë fillimisht i kishte kërkuar që për kandidatin për patentë shofer A.B. ta ndihmojë për ta kaluar për shkak se të njëjtin i kishte thënë se e ka djalë të baxhanakut e më pas të njëjtin e informon që të ketë kujdes sepse në atë zyrë mund të ketë diçka, dhe se janë angazhuar nga Policia njësitë të tjera përcjellëse, duke kërkuar nga i njëjti që të ketë kujdes, ndërsa në anën tjetër me këto veprime kishin zbuluar masat e fshehta që ishin duke u aplikuar në atë rast.

Me këtë rast, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës në dispozitivin e pestë pika 2, në kohën, vendin dhe mënyrën e njëjta sikurse në pikën e parë të dispozitivit të pestë, pandehurit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta, pa autorizim ia kumtojnë personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë më 15 maj 2019, derisa kanë qenë në takim me të pandehurin Naser Llugaliu i cili mbante pozitën koordinatorit Qendrës për Patentë Shofer në Prishtinë, ndaj të cilit ishin duke u zbatuar masat e fshehta të hetimit në bisedë e sipër, të njëjtin e informojnë lidhur me veprimet hetimore që janë ndërmarrë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në një rast, ndërsa më 25 qershor 2019, dy të pandehurit, gjatë takimit që kanë pasur me të pandehurin Llugaliu në zyrën e tij, gjatë bisedës në mes tyre të njëjtin fillimisht e pyesin nëse ka diçka në zyrë të vendosur e më pastaj e informojnë atë se janë duke u përcjellë  nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, duke njoftuar të njëjtin se janë angazhuar nga Policia, njësitë përcjellëse dhe se masat e fshehta janë vazhduar edhe për 60 ditë tjera, andaj duhet të jetë i kujdesshëm në veprimet e tij, duke i thënë se “nuk kemi dëshirë me ra kur i kam njerëzit e mi“.

Me këtë rast, të njëjtit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga neni 426, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të gjashtë i pandehuri Ekrem Latifi po akuzohet se në cilësinë e ekzaminerit pranë Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti i Patentë Shoferëve i ka dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të tërthortë personit zyrtar, të akuzuarit Naser Llugaliu në mënyrë që ai person të veprojë ose jo, në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që ditën kritike të njëjtit përmes Defrim Bajraj i kishte dhënë 250 euro të vendosura në zarf me një emër të kandidatit të shkruar në letër të verdhë që ka pasur të hyjë në provim për patentë shofer atë ditë.

Andaj, me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të shtatë, i pandehuri Bashkim Jetullahu akuzohet se gjatë kohës sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, në cilësinë e Autoshkollës “8 Marsi” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë subjekt privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar, ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës, ashtu që nga kandidati për patentë shofer E.R. ka pranuar 100 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin praktik për patentë shofer, duke e udhëzuar të njëjtin që nëse nuk e jep atë shumë të të hollave do ta rrëzojë në testimin e vozitjes.

I njëjti me këtë akuzohet që ka kryer veprën penale të “Pranimit të ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, par.1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tetë, i pandehuri Dritmir Islami akuzohet sikurse në pikën e parë të aktakuzës se në cilësinë e instruktorit të Autoshkollës “Abis” në Prishtinë, drejtpërdrejt ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdorur pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij, me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës, ashtu që nga kandidatja për patentë shofer M.M. dhe bashkëshorti i saj I.M. ka pranuar 600 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin për patentë shofer, që sipas udhëzimeve të tij, kjo kandidate ditën kur kishte hyrë në test teorik për patentë shofer ishte ulur e katërta me radhë dhe ekzamineri që kishte mbajtur atë test e kishte ftuar që të ulët në bankën afër tij, duke a vendosur para një test shabllon me përgjigje të gatshme prej të cilit e njëjta i kishte kopjuar, e me ç ‘rast kishte arritur që ta kalojë testin teorik.

Andaj, i njëjti akuzohet sa ka kryer veprën penale “Të pranimit të ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, par.1 të KPRK-së.

Në dispozitivin e nëntë të aktakuzës, i pandehuri Murtez Rama akuzohet sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze në cilësinë e instruktorit në Autoshkollën “Rinasi” me seli në Drenas, me dashje ka ndihmuar personat tjerë në kryerjen e veprave penale, respektivisht Avdush dhe Premtim Topalli, ashtu që me veprimet e të njëjtëve iu ka dhënë pajisje për të kryer veprën penale, si dhe atë kandidatëve që kanë pasur të hyjnë në teste teorike për patentë shofer iu ka vendosur mjete të fshehta fotografuese (stilolaps me kamerë), përmes të cilit ka arritur që të nxjerrë teste dhe të njëjtat ua ka dërguar të akuzuarve Avdush dhe Premtim Topallit, të cilat janë gjetur me rastin e ekzaminimit të telefonit të tyre.

Andaj, me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ndihme në kryerjen e veprës penale” si dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309, par.1, lidhur me nenin 30 të KPRK-së.

Kurse, sipas dispozitivit të dhjetë,  i pandehuri Hasan Hasani po akuzohet se sikurse në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze në cilësinë e kandidatit për aftësim profesional për patentë shofer, i regjistruar në Autoshkollën “Fati” në Prishtinë, i ka ofruar në mënyrë të tërthortë shpërblim ose përfitim të panevojshëm instruktorit të kësaj autoshkolle Milazim Demolli dhe atë shumën prej 450 euro, në ditën kur kishte hyrë në test për patentë shofer, e që janë marrë vesh që i akuzuari Hasani t’i plotësojë vetëm disa pyetje, kurse pjesën tjetër të testit ta lërë të zbrazët, në atë mënyrë që ai person të veprojë ose jo duke shkelur detyrën e tij.

Andaj, me këtë rast i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ryshfetit në sektorin privat” nga neni 310, par.1, të KPRK-së.

Ndërsa, në dispozitivin e njëmbëdhjetë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Milazim Demolli gjatë kohës sikurse në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e punonjësit të Autoshkollës “Fati” në Prishtinë, si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdor pozitën e tij duke marrë shpërblim për veten e tij me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, financiare ose tregtare.

Tutje, sipas këtij dispozitivi, kandidati për patentë shofer Hasan Hasani ka pranuar shumën e të hollave prej 450 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik, duke e udhëzuar atë që me rastin e nënshtrimit të testit t’i plotësojë vetëm dy përgjigje e të tjerat t’i lë të zbrazëta.

Tutje, i njëjti më 2 korrik 2019, thuhet se shkon në zyrën e të pandehurit Naser Llugaliu dhe së bashku me të i shikojnë listat e kandidateve të cilët kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe e pyet Naserin se “ku i kie të dhetëve”, ndërsa Naseri i thotë “e dhetve qikjo osht” dhe së bashku e identifikojnë kandidatin Hasan Hasani, ku me atë rast i thotë Naserit “bone me kimik” dhe i thotë po ashtu se “s’ka nevojë me ardhë ma sot hiq“‘, Naseri ia kthen “jo hiq mos hajde“.

Me këtë rast, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale të pranimit së ryshfetit në sektorin privat nga neni 309, par. 1 të KPRK-së.

Ndërsa, në dispozitivin e njëmbëdhjetë pika dy, thuhet se më 2 maj 2019, në cilësinë e punonjësit të Autoshkollës “Fati” në Prishtinë i ka ofruar dhe dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që gjatë zbatimit të masave të fshehta është gjetur se i njëjti fillimisht kishte shkuar tek Naseri në zyrën e tij në Prishtinë te Qendra e Patentë Shoferëve dhe fillimisht ia kishte dhënë në letër dhe disa para dhe i thotë “tri e gjysmë”, duke i thënë për dikë, ndërsa Naseri ia kthen “nuk është i sigurt se e ka marr vesh tjetër kush“, dhe “veç me qu ma naltë“, kurse i pandehuri i kthen “e qon është 83 është”.

Me këtë rast, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” nga neni 422, par. 1 të KPRK-ës.

Tutje, sipas dispozitivit të dymbëdhjetë  të kësaj aktakuzë, e pandehura Lindita Hoxha nga data 27 qershor 2019 e deri më 5 korrik 2019, në cilësinë e instruktores për aftësim profesional për patentë shofer në Autoshkollën “Atlantida”, në vazhdimësi i ka ofruar dhe dhënë dhuratë apo përfitim të paarsyeshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete apo tjetrin personit zyrtar Naser Llugaliu, koordinator i Qendrës për Patentë Shofer në Prishtinë, në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mosveprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që, gjatë zbatimit të masave të fshehta është gjetur se më 27 qershor 2019, të njëjtit në zyrën e tij në Prishtinë i kishte dhënë shumën e të hollave prej 300 euro me një emër të kandidatit të shkruar në letër stick të verdhë që ka pasur për të kaluar.

Sipas këtij dispozitivi, e njëjta më 5 korrik 2019, kishte qenë prapë në zyrë të të pandehurit Naser Llugaliu dhe i kishte dhënë prapë të holla ku i kishte nxjerrë të hollat nga kuleta edhe direkt ia kishte dhënë Lugaliut duke i thëne “meri qito se um kan met “.

Me këtë rast, e njëjta akuzohet se ka kryer veprën penale të “Dhënia së ryshfetit në vazhdimësi” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Kurse, sipas dispozitivit të trembëdhjetë, i pandehuri Enver Fazliu gjatë kohës sikurse në pikën e pare të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e instruktorit të Autoshkollës “AAB” në Prishtinë si person i punësuar në këtë subjekt të sektorit privat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe marrë dhuratë të pamerituar ose ka keqpërdor pozitën e tij, duke marrë shpërblim për veten e tij me qëllim që të veprojë ose të mosveprojë në shkelje të detyrës ose të funksionit të tij gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, financiare ose tregtare.

Ashtu që, thuhet se nga kandidatja për patentë shofer A.G. ka pranuar shumën e të hollave prej 450 euro për ta ndihmuar që ta kalojë testin teorik për patentë shofer, duke udhëzuar atë me rastin e mbushjes së testit ajo t’i shkruajë vetëm të dhënat personale në test dhe pjesën tjetër të testit ta lë të zbrazët, ku e njëjta edhe ashtu kishte vepruar dhe kishte arritur që ta kalojë testin për patentë shofer.

Me këtë rast, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Pranimit së ryshfetit në sektorin privat” nga neni 309, par. 1 të KPRK-së.