LAJMI I FUNDIT:

Deklaratat e Thaçit kundër BE-së nxisin reagime të ashpra në Kosovë

Deklaratat e Thaçit kundër BE-së nxisin reagime të ashpra në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me një reagim në rritje në vend në lidhje me deklaratat e tij të ashpra për BE-në dhe thirrjes për “bashkim të Kosovës me Shqipërinë” nëse procesi i integrimit në BE dështon. Komentet e tij kanë nxitur kritika nga liderët opozitarë dhe nga shumë ekspertë të cilët e akuzuan atë për flirtim me populizëm për nevoja personale.

“Nëse Bashkimi Evropian i mbyll dyert për Kosovarët, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një shtet të vetëm në mënyrë që të integrohen në familjen evropiane,” i kishte thënë Thaçi Radios Evropa e Lirë më 19 Prill.

“Popullizmi për fat të keq është duke u rritur jo vetëm në Ballkan, por edhe në vendet e zhvilluara. Nuk është befasi fakti se Thaci është i prekur nga ky trend”, tha për BIRN-in Agron Halitaj, gazetar nga Kosova që për shumë vjet ka përcjell aktivitetet politike të Thaçit.


Halitaj shtoi se në Kosovë është e lehtë të luhet me popullizëm për arsye se njerëzit në vend rrallëherë i mbajnë përgjegjës politikanët për premtimet e pambajtura.

Thaçi gjithashtu akuzoi BE-në se po e mban me qëllim Kosovën të izoluar. Në tërë rajonin, vetëm qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me viza për të hyrë në BE për shkak se Kosovës ende i mungon marrëveshja për liberalizim të vizave.

Deklaratat e Thaçit për bashkim të mundshëm të Shqiptarëve në një shtet të vetëm erdhën vetëm një ditë pasi kryeministri shqiptar Edi Rama tha pothuajse të njëjtën gjë.

Gazeta Politico e Brukselit citoi Ramën duke thënë se BE-ja do të përballej me një “makth” nëse shpresat për integrim në BE do të zhdukeshin, duke shtuar se “bashkimi i vogël” i Shqipërisë me Kosovën do të ishte një opsion nëse Brukseli i kthen shpinën rajonit.

Këto deklarata tërhoqën reagime të ashpra nga Serbia dhe gjithashtu tronditën diplomatët ndërkombëtarë në një moment ku tensionet brenda dhe në mes të disa vendeve në Ballkan po rriten.

Pas takimit me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, më 24 Prill në Bruksel, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, kërkoi nga liderët rajonal ta shmangin gjuhën e ashpër.

“Nëse dikush mendon se deklaratat e tilla do të na bëjnë presion, e kanë shumë gabim, sepse këto deklarata shumë lehtë mund ti sjellin pasoja autorëve të mesazheve të tilla”, tha Hahn.

Disa orë më vonë, duke iu kundërpërgjigur Hahnit, Thaçi dukej i papenduar teksa lëshoi një kritikë edhe më të ashpër se e para.

“Ky trajtim i BE-së tregon se në rastin më të mirë, BE-së nuk i bëhet vonë për Kosovën, kurse në skenarin më të keq, as që do t’ia dijë për të”, u përgjigj Thaçi në Facebook.

Katër ditë më pas, më 28 Prill, Thaçi takoi Drejtoreshën e BE-së për Shërbimin e Veprimit të Jashtëm për Ballkanin Perëndimorë dhe Turqinë, Angelina Eichhorst në Prishtinë, dhe zyra e tij lëshoi një deklaratë kritike duke shprehur “zhgënjimin për trajtimin e padrejtë dhe vonesat e panevojshme të BE-së ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj në kuadër të procesit të integrimit në BE”.

Përderisa komentet e Thaçit tërhoqën reagime negative nga Brukseli, Washingtoni, Beogradi e Moska, reagime të ashpra u ngritën edhe nga disa liderë opozitarë dhe ekspertë lokalë në Prishtinë. Nënkryetari i partisë opozitare Vetëvendosje, Driton Çaushi, tha për BIRN-in se vetë Thaçi është përgjegjës për shumë nga këto probleme.

“Nuk është hera e parë që shohim sjellje të tillë nga Thaçi. Më kujtohet në 2015 kur ai gjithashtu e akuzonte BE-në kur Kosovës iu refuzua liberalizimi i vizave”, tha ai. “Pavarësisht nga fakti se qytetarëve të Kosovës padrejtësisht u është ndaluar një e drejtë elementare [për të hyrë në BE pa viza], Thaçi është fajtori kryesor për këtë situatë sepse ai ka qenë në pushtet që nga viti 2008”.

Agron Halitaj, që tash drejton portalin e lajmeve AktivPress në Prishtinë, tha se prej kur u bë president në prill të vitit 2016, Thaçi po vuan nga një “krizë identiteti” politik. Kjo ndodh për arsye se duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, për t’u bërë President i Kosovës, ai tani nuk ishte as lider i partisë e as një përfaqësues i mirëfilltë i unitetit në Kosovë.

“Edhe pas më shumë se një viti si president, Thaçi ka dështuar të takojë ndonjë lider opozitar”, theksoi Halitaj, duke sugjeruar se deklaratat e fundit të Thaçit ishin një përpjekje për të rifituar vëmendje publike në Kosovë dhe jashtë saj. “Ai lëvizi nga sjella që konsiderohej e papranueshme për qytetarët në vend, por e mirëseardhur te ndërkombëtarët; tek sjella e pranueshme për qytetarët e vendit, por që ishte e papranueshme për ndërkombëtarët”.

Ekspertja e integrimeve Evropiane, Besa Shahini, tha se deklaratat e Thaçit kundër BE-së paralajmërojnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë larg.

“Në kohë zgjedhjesh, Thaçi gjithmonë lëshon deklarata duke përmendur padrejtësitë e supozuara që i janë bërë Kosovës dhe merr përsipër nisma të mëdha”, tha Shahini për BIRN.

Ajo iu referua deklaratave të Thaçit gjatë muajit mars, kur ai alarmoi komunitetin ndërkombëtar duke u zotuar papritur për transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në një ushtri të rregullt, duke anashkaluar ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Një muaj më pas ai u tërhoq nga iniciativa e tij pas një presioni të fortë nga ndërkombëtarët.

“Deklaratat e tij janë të dizajnuara për konsumin e brendshëm. Ai dëshiron të përcjell një mesazh pushteti tek qytetarët… Por, në fund, Thaçi do të bëjë atë që i thonë BE-ja dhe Amerika”, shtoi Shahini.

Analisti politik, Halil Matoshi, tha se deklaratat anti-BE të Thaçit vetëm sjellin në dukje “paaftësinë e tij për të ndërtuar një shtet modern” që mund të plotëson kriteret e liberalizimit të vizave vendosur nga Brukseli. Matoshi theksoi se Thaçi shërbeu si kryeministër ose zëvendëskryeministër për gati një dekadë prej 2007 deri 2016, gjatë së cilës periudhë kriteret e vendosura nga Brukseli për liberalizim të vizave nuk u përmbushën.

“Kjo është arsyeja pse Kosova ende është nën regjimin e vizave me BE-në. “Thaçi është i vetëdijshëm që BE-ja nuk mund të kërcënohet nga një shtet i brishtë”, shtoi Matoshi.

Në Dhjetor 2015, kur BE-ja refuzoi t’i japë liberalizimin e vizave Kosovës, Thaçi e dënoi vendimin dhe pak a shumë bëri thirrje për protesta pranë Zyrës të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Ne jemi kampionë në luftën kundër korrupsionit… Nëse kjo [Liberalizimi i Vizave] nuk ndodh, ne kemi të drejtë të jemi të zhgënjyer. Gjithkush ka të drejtë të protestojë përpara zyres së BE-së. Por në mënyrë paqësore”, kishte thënë Thaçi.

Këto deklarata nuk u mirëpritën nga Ulrike Lunacek, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën.

“Hedhja e fajit tek BE-ja është gabim, nuk do të jetë produktive dhe unë nuk do të pajtohem me të…Protestat dhe ndjenjat negative kundër BE-së e bëjnë të vështirë për mua dhe mbështetësit e tjerë të Kosovës të punojnë drejt një imazhi pozitiv, që është shumë e nevojshme për Kosovën të fitojë një regjim pa viza”, tha Lunacek për BIRN në Dhjetor 2015. /BIRN/kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori