Kryetari i sapo-betuar i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, e cila së fundi ka ngritur akuza për mënyrën se si Lushtaku ka blerë dhe më pas ka shitur prona në këtë komunë. Matoshi ka kritikuar edhe djalin e tij, Mërgimin.

Pas ceremonisë së betimit të enjten, Lushtaku u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratat e ish-deputetes. Ai i cilësoi ato si fjalë të papërgjegjshme, ndërsa përdori edhe një krahasim të rëndë për të vënë në pikëpyetje nivelin e saj politik.


“Ky është niveli i saj. Nuk i ngjan aspak një deputeteje që ka përgjegjësi për fjalën që i drejton qytetarëve. Mendoj se zonja Matoshi dhe secila që merret me politikë duhet të jetë e kujdesshme në deklarata, sepse ato kanë peshë”, tha Lushtaku, duke shtuar se kritikat duhet të bazohen në fakte dhe jo në akuza pa prova.

Ai theksoi se politikanët, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, duhet të shmangin gjuhën fyese. “Të gjithë ne në politikë duhet të kemi kujdes maksimal, të mos ofendojmë. Nëse dikush ka vërejtje për punën tonë, le ta thotë me argumente”, u shpreh ai.

Lushtaku komentoi edhe rikthimin e Ramiz Lladrovcit në PDK, duke deklaruar se personalisht nuk e konsideron atë pjesë të Partisë Demokratike, por se do t’i respektojë vendimet e strukturave të saj.

“Mendimet e mia nuk i ndryshoj. Për mua Lladrovci nuk është PDK, por unë respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, tha ai. /Telegrafi/