Qytetarët që kanë punuar jashtë vendit dhe kanë sjellë paratë e fituara në vend ose i kanë transferuar tek të afërmit e tyre, dhe shteti nuk i ka tatimuar, tani pas pesë vjetësh do t’ua arkëtojë ato para.

Pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale është detyrim ligjor ekzistues, për të cilin në të kaluarën nuk janë bërë analiza, dhe tani Drejtoria e të Ardhurave Publike ka filluar ta zbatojë në mënyrë aktive këtë kontrollë.


Katerina Mitevska, udhëheqëse në sektorin për regjistrimin dhe përcaktimin e tatimit, tha për "Alsat" se të gjithë qytetarët e Maqedonisë që marrin para nga jashtë, duhet të deklarojnë tatimin mbi të ardhurat personale në DAP. Kjo do të thotë të dorëzojnë përllogaritje elektronike, të deklarojnë sa kanë fituar dhe të bashkëngjisin dokumente si provë për të ardhurat dhe, eventualisht, tatimin e paguar jashtë vendit.

“Gjatë këtij viti janë kryer analiza, respektivisht është bërë krahasimi i të dhënave nga sistemet që disponon Drejtoria e të Ardhurave Publike me të dhënat e marra nga bankat, për të identifikuar individët që sipas dispozitave ligjore kishin detyrimin të dorëzonin përllogaritjen elektronike, por nuk e kanë dorëzuar në DAP dhe nuk e kanë deklaruar tatimin. Për të gjithë këta persona janë dërguar fillimisht ftesa për t’u harmonizuar vullnetarisht, pra për të vetëdeklaruar të ardhurat që kanë pasur nga jashtë dhe për të paguar tatimin që nuk është paguar. Gjithashtu, u ofrohet mundësia për çdo pyetje që kanë në këtë drejtim, ose për ndonjë dilemë apo paqartësi lidhur me dorëzimin e përllogaritjes, se cilat prova duhet të paraqesin, ose nëse tatimi është paguar në një shtet tjetër”, tha Katerina Mitevska – udhëheqëse e sektorit për regjistrim dhe përcaktim të tatimit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.
Nga DAP-i konfirmojnë se po kryejnë kontrolle. Kontrollimet kanë treguar se në periudhën nga qershori deri në dhjetor 2020, rreth 4,000 individë që kishin pasur të ardhura të tatueshme nuk i kanë deklaruar dhe nuk e kanë paguar tatimin.

Drejtoria e të Ardhurave Publike shpjegon se të gjitha të ardhurat që qytetarët i marrin nga jashtë dhe përbëjnë të ardhura të tatueshme, i nënshtrohen tatimit. Kjo vlen për paga, honorare, shërbime frilens dhe intelektuale, të ardhura nga qiraja përmes platformave si Airbnb dhe Booking, fitime kapitale nga shitja e pronave, kriptovaluta ose letrat me vlerë, si dhe të ardhura nga kapitali – dividente, norma interesi dhe fitime të tjera financiare. Tatim paguhet gjithashtu për të drejtat e autorit dhe për fitime nga lojërat e fatit. Nga DAP theksojnë se ka edhe të ardhura që nuk tatohen, si p.sh. paratë e marra si dhuratë, mbështetje financiare familjare ose pagesa përmes shërbimeve si Western Union, Ria dhe MoneyGram, nëse nuk përbëjnë të ardhura.

Nga Drejtoria për të Ardhura Publike thonë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme./Alsat/