Në dy vende plotësisht të ndryshme të botës ditëve të fundit janë duke mbretëruar temperatura ekstreme. Në Çikago këto ditë pritet të ulen temperaturat që do të jenë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Në anën tjetër në Australi vala e të nxehtit ka goditur vendin, e në SHBA nga i ftohti kanë humbur jetën 8 persona. Temperaturat në Çikago sot kanë rënë në minus 45 gradë celsius, derisa në Dakotën e Veriut është regjistruar temperatura prej minus 64 gradë celsius, transmeton Telegrafi.


Meteorologët kanë paralajmëruar se temperaturat pritet të ulen edhe më shumë gjatë ditëve në vijim në SHBA. E për dallim nga SHBA-të, në Australi vala e të nxehtit ka goditur vendin dhe po konsiderohen si temperaturat më të larta që janë regjistruar në 30 vitet e fundit, e që kanë arritur në 50 gradë celsius.

Si rezultat i temperaturave të larta shumë lumenj janë tharë e qindra kafshë janë gjetur të ngordhura, pasi nga dehidrimi kishin luftuar me ditë të tëra derisa nuk i mbijetuan më. /Telegrafi/