Aktori hollivudian, Bradley Cooper, ditë më parë ka folur për problemet e varësisë, me të cilat luftoi në fillim të karrierës së tij.
I ftuar në episodin e ri të “Running Wild With Bear Grylls”, 49-vjeçari ka biseduar me aventurierin e njohur për sfidat e jetës dhe problemet shëndetësore.
Aktori ka pranuar ndër të tjera se fama dhe bota e industrisë së argëtimit ka pasur ndikim tek ai gjatë karrierës.
Megjithatë, në një moment gjatë episodit, Cooper i tha prezantuesit Bear Grylls se nuk ishte “humbur në famë”, që e nxiti moderatorin t’ia kujtonte se i ka kaluar disa “vite të egra”.
“Sa i përket alkoolit dhe drogës, po. Por, nuk ka të bëjë me famën. Kam qenë me fat. U kthjella në moshën 29 vjeçare dhe kam qenë esëll (pa alkool) për 19 vite. Kam pasur shumë fat”, ka sqaruar aktori.
Gjatë bashkëbisedimit, ai ka rrëfyer se ka luftuar edhe me varësinë nga kokaina në vitet para të karrierës së tij në përpjekje për ta zgjidhur problemin e vetëbesimit të ulët, ndërsa në të njëjtën kohë ndihej i humbur dhe ndjeu se karriera e tij po dështon.
Megjithatë, ka kaluar shumë kohë që nga ajo periudhë dhe ylli i filmit “A Star Is Born” po shijon një karrierë shumë të suksesshme në industrinë e filmit.
Siç transmeton People, aktori ka folur edhe për ndikimin në pikëpamjen e tij për jetën që ka pasur vdekja e babait të tij nga kanceri në mushkëri në vitin 2011.
“Patjetër që pata një qëndrim nihilist për pak kohë, ashtu siç (mendova), ‘do të vdes’… Nuk e di, nuk ishte mirë për pak, derisa kuptova se duhej ta pranoja atë që jam në të vërtetë dhe të përpiqesha të gjeja një paqe me këtë. Dhe më pas u rregullua disi”, ka rrëfyer tutje. /Telegrafi/