LAJMI I FUNDIT:

Çitaku i reagon Kurtit: Takimet partiake në ambientet e Qeverisë janë abuzim me pushtetin

Çitaku i reagon Kurtit: Takimet partiake në ambientet e Qeverisë janë abuzim me pushtetin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mënyrën se si ka zhvilluar konsultimet me minoritetet për formimin e Qeverisë.

Sipas saj, këto takime, të mbajtura në ambientet qeveritare, janë një abuzim me pushtetin.

Në një reagim në rrjetet sociale, Çitaku ka ftuar qytetarët të imagjinojnë se si do të ishte pritur një veprim i tillë po të vinte nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo Ramush Haradinaj.


Ajo e ka akuzuar Kurtin për përdorimin e institucioneve shtetërore për interesa partiake dhe për ushtrim presioni ndaj përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë.

“Imagjinojeni një Kryeministër që, në vend se të shërbejë popullin, e shndërron zyrën e shtetit në zyrë partie. Që përdor pushtetin e tij për të zhvilluar pazare politike prapa dyerve të mbyllura. Që thërret përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë, jo për t’i dëgjuar, por për t’i nënshtruar”, ka shkruar ajo.

Duke e akuzuar Kurtin për shkelje të ligjeve dhe përbuzje të traditave demokratike, Çitaku paralajmëroi se një qasje e tillë do ta çojë atë drejt një fundi të turpshëm politik.

“Albin, Kosova nuk është parti. Kosova nuk është pronë. Ti nuk je mbi ligjin. Nuk je mbi Kushtetutën. Nuk je mbi dinjitetin e këtij populli që ka vuajtur për demokraci, jo për t’u shndërruar në spektatorë të një partie që kërkon të kontrollojë gjithçka. Historia nuk fal. Populli nuk harron”, ka përfunduar ajo./Telegrafi/