Ovidio Guzmán është tashmë në Qendrën Federale të Adaptimit Social numër 1, e njohur më mirë si ‘El Altiplano’, një burg i sigurisë maksimale që ndodhet në komunën e Almoloya de Juárez, të State of Mexico. Në këtë vend ndodhen edhe disa të burgosur, mes të cilëve edhe disa trafikantë droge.
Altiplano, i cili u bë i njohur si burgu Almoloya, kishte si “mysafirë” Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, udhëheqësin e kartelit Sinaloa dhe i cili u burgos midis 2014-2015 – derisa u arratisë përmes një tuneli që lidhej me një shtëpi në ndërtim. Këta janë kriminelët e rrezikshëm që qëndrojnë në qendrën e paraburgimit, raporton radioformula.co.mx, transmeton Telegrafi.
Cilët kriminelë të rrezikshëm gjenden në Burgun Altiplano?
Sipas të dhënave nga Sekretariati për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Qytetarit (SSMQ), deri në shkurtin e vitit 2021, në burgun Altiplano ndodheshin 430 persona të cilët ishin privuar nga liria, duke përfshirë disa anëtarë të krimit të organizuar e edhe kriminelë të cilët mbahen në mend për sadizmin e kryer nga ana e tyre.
Rafael Caro Quintero
I njohur si “Narco de Narcos”, Rafael Caro Quintero është një nga anëtarët e krimit të organizuar të cilët kanë qenë në Cefereso numër 1, që prej kur ai ishte kapur në korrik të vitit 2022 nga ana e autoriteteve federale. Autoritetet e Shteteve të Bashkuara gjithashtu po kërkojnë që ta internojnë themeluesin e kartelit Guadalajara.
Antonio Oseguera Cervantes
Antonio i cili e mori nofkën “Tony Montana” është vëllai i Nemesio Oseguera, pseudonimi i të cilit është “El Mancho”, dhe lider i kartelit Jalisco Nueva Generación. Ai u kap në dhjetorin e vitit 2022, dhe u dërgua në burgun Altiplano, ku pret që të nisë procesi i tij për krime si krimi i organizuar.
Hector Palma
Në mesin e personazheve që lidhen me kartelin Sinaloa dhe i cili u ndalua në ish-burgun Almoloya është edhe Héctor ‘El Güero’ Palma, i cili është edhe themelues i organizatës kriminalistike në fjalë. Në korrik të vitit 2021, ai u largua për pak çaste nga qendra e sigurisë maksimale, pasi u shpall i pafajshëm – por u rikthye pas një urdhër-arresti të ri.
Eduardo Arellano Felix
I njohur me nofkën “El Doctor” ai është një nga themeluesit e kartelit Arellano Felix, i cili u kap që nga viti 2008, i ekstraduar në SHBA në vitin 2012, dhe pastaj i dëbuar në gusht të vitit 2021 në territorin e Meksikës, posa u rikthye në vend, ai u dërgua në burgun Altiplano, për shkak se ai duhej që të iu përgjigjej autoriteteve meksikane.
Jose Antonio Yepez
Që nga gushti i vitit 2020, burgu Altiplano si “mysafir” të saj e ka edhe José Antonio Yepez, i cili ndryshe njihet me nofkën “El Marro”. Ai është themeluesi i kartelit Santa Rosa de Lima, i përkushtuar mbi të gjitha për nxjerrjen e paligjshme të karburantit (ose huachicoleo), përveç aktiviteteve të paligjshme si rrëmbimi dhe zhvatja.
Cilët janë disa nga të burgosurit e tjerë të “famshëm” në Altiplano?
Brenda burgut Altiplano, ku do të mbahet Ovidio Guzmán, ndodhet edhe Zheli Ye Gon, një biznesmen kinez i akuzuar për trafikimin e lëndës së parë e cila përdoret për prodhimin e drogës. Luis Cárdenas Palomino, një anëtar i Policisë Federale gjatë mandatit gjashtëvjeçar të Felipe Calderón (2006-2012) dhe i lidhur me Genaro García Luna, ndodhet gjithashtu në këtë burg.
Israel Vallarta, u bë i njohur sepse ishte partneri sentimental i Florence Cassez dhe se të dy ishin të lidhur me një bandë të dyshuar rrëmbyesish, të njohur si ‘Los Zodiaco’, gjithashtu ndodhet në burgun e Altiplanos, ai ndodhet në paraburgim prej 17 vitesh. Këta janë disa nga shoqëruesit që do të ketë Ovidio Guzmán, për sa kohë nuk dërgohet në një burg tjetër apo ekstradohet në tjetër shtet. /Telegrafi/