LAJMI I FUNDIT:

Çifligarët, çifligjet dhe çifçinjtë

Çifligarët, çifligjet dhe çifçinjtë
Ilustrim

Nipi që ishte rritur larg vendlindjes, kishte mbajtur mend vetëm varrin e Mustafë Agës.

– Shkojmë andej kah Varri i Mustafë Agës, gjysh?!

Gjyshi plak, ishte befasua pak. Vetmeveti sikur kishte përjetuar njëfarë gëzimi që nipi paska mbajtur mend edhe ndonjë toponim nga fshati Zezë. As që kishte pandehur pse nipi zuri në gojë bash Varrin e Mustafë Agës?!


– Hëë!

Gjyshi gjëmoi me zë të çjerrë. Mos vallë, nipi tash edhe do më pyes për origjinën e toponimit- Varri i Mustafë Agës, po mendonte plaku.

– Gjysh! Pse ky vend quhet Varri i Mustafë agës?- e kishte pyetur nipi!

– E more bir?! Sa shumë njerëz janë vrarë për këtë tokë?! Shiko andej kah Jugu! Edhe disa hapa dhe do ulemi të ai lisi i vetëm që kemi përpara. Aty afër lisit është Varri i Mustafë Agës. Kur kishte mësy bjeshkët tona, Ordhia selxhuke, i pari i këtij Mustafës kishte pas marr titullin e agait për shërbimin që i kishte bërë pashait. Fisi kishte organizuar qëndresë të fortë. Hiq më shumë se njëzet fshatarë kishin penguar depërtimin e ordhisë së huaj për disa ditë me radhë. Rrëfimi për njëfarë Dredhën që ia kishte treguar rrugën ordhisë, për t’iu dal fshatarëve pas shpine, është i moçëm. Ky Dredha për të cilin thonë se është paraardhësi i Mustafë Agës i kishte pri ordhisë dhe ata pastaj i kishin vrarë apo zënë rob një nga një, të njëzetë fshatarët malësorë.

Të duket bajat që shpjegova pak origjinën e këtij varri, por historia mësohet për të mos i përsëritur gabimet dhe për të mos i falur tradhtarët, kushdo çofshin ata. Kjo temë është e rëndë dhe patjetër duhet të mësosh edhe kuptimin e fjalëve; çiflig, çifligje, çifligar e çifçinj. ! Biro! Kishte gjetur padishahu shërbëtorë në këto anë. Kishte gjetur sa kishte dashur! Kishte gjetur që ç’ke me te!

Pastaj, nipi e gjyshi bashkë, ishin ulur nën hije të lisit, pranë gurit të varrit të Mustafë Agës.

– E sheh nipçe! Ky është varri i agës. Është ky edhe varr i varrit të atij tradhtarit që ia tregoi rrugën ordhisë selxhuke për t’iu dal pas shpine malësorëve, për t’i vrarë një nga një dhe për ti zënë rob të gjallë. Pastaj, ai Pashai që i printe ordhisë, Dredhën e kishte marrë me veti në Edrene. E kishte dërguar edhe para padishahut. Lartmadhëria e kishte shpërblyer pa një pa dy, duke i dhuruar tokën e dhjetë fshatrave. Tregonin pleqtë; kur ishte kthye ai Dredha në fshat, as që kishte kuptuar çfarë dhuratë ka marrë nga Sulltani. Me kohë, tyrxhymenët ia kishin interpretuar kuptimin e urdhrit të mbretit. Rrëfimi për shpërblimin qe i kishte dhënë mbreti Dredhës ka jetuar edhe pas pesë shekujve.

– O nipçe! Ky gjyshi yt, vonë ka kuptuar pse është varrosur këtu Mustafë Aga. Bile pleqtë tanë asgjë nuk na kishin treguar se kush ishte ai farë Mustafa dhe nga erdhi aty në atë lendinë, ku i kullosnin bagëtinë zijoshët e Zezës.

Deri atëherë, askush nga zijoshët nuk kishte pasur rast të zaptonte asnjë pëllëmbë lëndine, pa pajtimin e gjithë fshatit.

E more birë! Zijoshët nuk pajtoheshin dot as për një lis, e lere me për krejt këto kodra, kullosa e male përreth. Nuk pajtoheshin dot dy zijoshë, lere më gjithë fshati. Kështu kishte mbetur kjo tokë e të gjithëve dhe e askujt.

– Nga ky lis i vogël afër Varrit të Mustafë Agës e teposhtë, kishte qenë krejt zabel me lisa të moçëm. Zijoshët, akoma e quajnë Haxhizabel. Moti i kanë prerë të gjithë lisat. Bile për lisin e fundit thonë se janë vrarë Buçi dhe Tuçi, pasi nuk e ndanin dot me sharrë. Kur nuk kishte mbetur asnjë lis, i kishin nxjerrë cungat e lisave më gjithë rrënjë. Krejt kjo fushë kishte mbetur lendinë, për të kullotur bagëtia.  Duke prerë malin me vite, kishin arritur deri në Mirushë.

– E sheh nipçe! Sa shumë ka bari sot?! Kishte vite të thata dhe nuk rritej një fije bari, pos shavarit atje poshtë ku akoma zijoshet i thonë Pusi i Madh. Ai pus ka qenë gati si një liqe i vogël. Askush nuk guxonte të zhytej brenda tij. Në anën e epërme të pusit ka pasur shumë burime, rrjedha uji njëra pas tjetrës që kur bashkoheshin me Pusin e Madh, formohej në vadë e madhe që nuk shteronte as dimër as verë. Zeza e Shpati kanë pasur me qindra kroje në çdo hap.

Iku uji, biri im! Iku dhe nuk u kthye më! Njerëzit disa vjet me radhë besonin se do të kthehen burimet, por kot. Atëherë zijoshët filluan të largohen nga Zeza një nga një. Pas zijoshëve ikën edhe shaptianët.

Atëherë mbanin pak dele e më shumë dhi. Dhitë nuk linin dru mbi tokë pa dëmtuar deri në rrënjë. Kur nuk mbetej dru, dhitë nxirrnin me rrënjë edhe barin.

– Sa pushtuesi është ndërruar deri sot?! Pushtuesi shpërblente shërbëtoret vendas. Pos tetë fshatrave të afërme, mbreti ia kishte fal Dredhës edhe fshatrat Zezë e Shurrëpelë shumë larg nga kasabaja ku jetonin pasardhësit e Dredhës.

More nipçe! As nuk mund të paramendonte as vet mbreti se çka po bënte Dredha mbi fshatarët t Zezës e të Shurrëpelës? Ku mund të ankohej një fshatar te Padishahu, kur nuk kishte rast ta shihte kurrë.

Për Çifligjet, çifligarët e çifçinjtë dëshmon rrëfimi për Hysin që kishte qenë çifçinj në pronën e Dredhës, paraardhësit të këtij Mustafë Agës që ka vdekur këtu.

– Atë ditë, Agai kishte ardhur me pajton e me rrogëtarë për të vizatuar kodrën e Peshkanicave që shtrihet tutje pronave të tij, dhjetë kilometra. Agai ia kishte vu syrin kësaj toke, të cilën dëshironte ta bënte tapi. Atë ditë vdiq këtu. Me gojë të vetë e kishte lënë amanet që ta varrosin këtu ku ka dhënë shpirt, me qellim që edhe varri të jetë dëshmi deri ku shtrihej çifligu i tij.

Pastaj këto toka i kishte pushtuar Serbia. Edhe krajli serb, ua kishte ndarë shërbëtorëve të tij ndo pak tokë apo ndonjë gradë. Pastaj, kishte sjell me mijëra kolonë në tokat e zijoshëve. Tapitë e çifligarëve, të bejlerëve e agallarëve i kishte shkartisë krajli serb. Zijoshët kurrë nuk ishin pajtuar të ndanin aq shumë tokë që kishin, ndërsa krajli po ua falte kolonëve serb.

– Ti more nipçe e mban mend atë mësuesin serb që ua mësonte gjuhën serbishte, ai Laza. Atij, agrari i krajlit ia pat dhënë pesëdhjetë hektarë tokë në një brazë. Dhe jo vetëm tokën e punueshme, por edhe pesëdhjetë hektarë mal të mirë, atje në Mirushë.

Pas shumë vitesh, pat ikur edhe krajli. Ikën edhe shumë kolonë.

Kur erdhi partizani, vendosi pushtetin e tij. Me të parin hap ligjor, nacionalizoi çdo pëllëmbë toke që ishte pa titullar. Tapitë e mbretit i pat zhvlerësuar krajli, ndërsa partizani i nacionalizoi të gjitha tokat që ishin pa titullar. Ato lëndinat e malet që nuk mund i ndanin mes tyre zijoshët, i mori kooperativa. Fshatarët më nuk kishin mundësi të mbanin as dy dele. Ata që kishin stane në bjeshkë, duhej të paguanin taksë për të kullotur delet.

Mbajtja e dhive qe ndaluar me ligj.

Po t’ia gjente pushteti fshatarit një dhi në shtëpi, e dënonte sikur të kishte strehuar ndonjë kaçak a komit në shtëpinë e tij.

Një farë Hysi kishte qenë çifçinj i Mustafë Agës, i martuar rishtas dhe kishte pasur një djalë. Mund të thoshte se ishte gjallë, dhe asgjë më tepër. Duke qenë çifçinj në tokën e çifligarit, as nuk mund të ëndërronte të ketë një pëllëmbë toke, siç thoshte për të lëshuar rrënjë diku.

Gruaja ia lexonte brengat të shoqit sa herë ktheheshin nga arat e çifligarit.

– Kur do të ikim e ku do të shkojmë ore njeri, i thoshte e shoqja. Bagëtia, përditë po ngordhë nga uria. Do të ishte mirë të krasitësh degët e këtyre pak lisave të cilëve akoma u kanë mbetur pak gjethe në maje. Po të shpëtojmë dhitë, i shpëtojmë edhe fëmijët?!

– Për të krasitur lisat duhet ta pyesim të zotin e lisave, i kishte thënë të shoqes Hysi! Po ta shpjegova si qëndron puna e lisave, zor që do të më kuptosh, por duhet ta dish se tapinë e tokës dhe të lisave e ka Zuzari.

Hysit vetëm sa nuk i pëlciste zemra duke dëgjuar të shoqen. Kur mendonte që është çifçi. i shuheshin të gjitha shpresat për jetë në fshatin ku kishte lindur.

– Se çka mund të pjellë nuk di. Fundi i fundit, ai Zuzari edhe mund të na përzë nga kjo tokë, e pastaj strehë mund të kërkojmë vetëm në qiell.

Gruaja e Hysit ishte ngrysur fare, kur kishte dëgjuar fjalën përzënie nga çifligu.

– Grua! Kështu është fati i një çifçiu të çifligari. Toka është e çifligarit, prandaj të tij janë edhe lisat me dushk. Dhe ta dish mori grua, se krejt këto ara, lëndina e male që sheh janë të Zuzarit të cilit ia fali mbreti për hyzmetin që ia ka bërë për shumë vite. Ndoshta nuk të ka shkuar mendja kurrë, pse na jemi çifçinj? Pasi nuk kemi tokë, as ara, as livadhe tona. nuk kemi as rrënjë siç ka lisi. Çdo bimë ka rrënjë dhe me to ushqehet nga toka, nga dheu, ndërsa na nuk jemi lisa as bimë. Pasi nuk kemi rrënjë, mund të thahemi lehtë sikur bima. Çdo bimë ka rrënjë dhe ato rrënjë i lëshon në tokë, ndërsa për ne, toka është e Çifligarit, të cilit mbreti ia fali me një fjalë goje.

– “Krejt toka e fshatit Zezë është e Dredhës”!- thoshin zijoshët. Për të lëshuar rrënjë, duhet të kemi tokë. Kështu është puna e kësaj toke ku po jetojmë. Në njerëzit e gjallë nuk kemi rrënjë, prandaj ky Zuzari mund të na hedhë prej këtu kur ti tekët. Mund të na përzë vetëm pse kam krasitur lisat pa e pyetur!

– U martuam këtu në kasollen që e ndërtova në çifligun e Zuzarit dhe ai na pranoi në heshtje. Një zot e di se çka mund të ketë menduar atë ditë. Unë punoja në arat e tija e ti kujdeseshe për bagëtinë e tij. Ne merrnin nga puna jonë vetëm sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Po mendoj se ky Zuzari vetëm po pret rastin kur të na ndjek prej këtu. E kam parë si i prishet çehrja sa herë me sheh duke punuar në çifligun e tij. Më duket u prish krejt kur ti linde djalin. Merre me mend po të lindesh edhe një fëmijë tjetër, nuk besoj se na lejon edhe një natë ta bëjmë në këtë kasolle që kemi ngritur në çifligun e tij.

– Ka derë bota o njeri! Ka derë! Edhe nëse bëhet kiameti, e na përzë prej këtu, do ikim larg Zezës. Edhe nëse shkojmë ku bren miza hekur, nuk mërzitëm më tepër!

– Pasi ne jemi çifçinj të këtij Zuzarit, a e merr Sulltani djalin tonë ushtar?

– E merr, oj grua! E merr! Nuk e merr djalin e çifligarit sepse ai paguan bedel, por djalin tonë e merr. Çifligari ka para për të paguar dikë tjetër për ta dërguar ushtar në vend të djalit të tij.

– Pasardhësit e Dredhës e kishin përzënë dikur edhe njëfarë Murron, çifçi në tokën e tyre. E kishte përzënë çifçiun në pik të natës. Thuajse Murro kishte faj pse një ditë kishte ra shi i madh, e përroska kishte marrë me vete gjithë barin e kositur ditë më parë. Goxha do vjet i bëmë këtu dhe akoma nuk i kam ra në fije si mund të jetë bërë ky Zuzari çifligar? Çifligu i tij shtrihet edhe përtej Zezës. Gjysma e bjeshkës, së Gurishtës është e tija. Gjithë ata që kanë stane andej, janë pa rrënjë në çifligun e Dredhës. Ky Zuzari mund t’i ndjek kur t’i teket.

Hysi, pasi kishte krasitur lisat, po priste çka do të thoshte çifligari.

I dukej çudi pse u vonua Zuzari gati një javë. Zuzari u duk vetëm në ditën e gjashtë, në mbrëmje. Ai posa kishte kuptuar se Hysi ka krasitur lisat për dushk, pa e pyetur fare, kishte vendosur ta largonte nga çifligu i tij.

– Më mirë të ikim sonte!- i kishte thënë e shoqja Hysit.

– Është vonë! Kemi edhe pesë dhi dhe djalin e vogël. Krejt çka kemi tesha në kasolle i zënë duqit. Nesër ikim pas dreke.

Të nesërmen, pa aguar, dikush kishte vikatur të dera e kasolles së Hysit.

– Akoma nuk jeni larguar a? Do të thërras zaptin e do shohësh! Ikni sa nuk iu kam zhdëpur dajak!

Hysi me të shoqen kishin përgatitur duqit me ato pak plaçka që kishin. Djalin mbështjellë me struka e mori e shoqja ndërsa duqet i mori Hysi.

– Kic, kic, kic, dhitë po ju shkonin pas tyre, pa asnjë cak. Po ecnin kah sytë këmbët. Ishin nisur drejt bjeshkëve. pa një cak ku do të mund të gjenin vend për të lëshuar rrënjë.

Hysi e dinte mirë se edhe në fshatrat tjera, çifçinjtë janë në këso gjendjeje. As nuk po mendonte të kërkonte strehë në ndonjë fshat të afërm.

– E di si pësoi Murro në fshatin Shurrëpelë, e di! Do ikim andej përtej atyre bjeshkëve ku nuk hiqet bora as në pik të verës. Me të shoqen dhe djalin, me pesë dhi mësyu bjeshkët. Le të dali ku të dali. Jetë pa rrënjë nuk bëjë dot. Askënd nuk lash pas! Tokë nuk lash! E gjithë toka ishte e çifligarit. I gjithë mali ishte i tij. Unë nuk kisha rrënjë si lisi. As kasollja nuk kishte rrënjë aty. Ata që nuk kanë tokë, nuk mund t’i lëshojnë rrënjët në tokën e Dredhë agës.

Çifligu i Dredhës shtrihej në dhjetë fshatra, ndërsa për Hysin nuk kishte vend as për varr në tokën ku kishte lindur. Këtë nuk po ia shpjegonte dot vetës.

Duke udhëtuar drejt bjeshkës, Hysi mbeti vishkull, pa gjë të gjallë. Dhitë ngordhën rrugës. Mendonte i gjori se një zot e di deri ku është kufiri i çifligut të çifligarit.

Ndoshta edhe kjo bjeshkë është e tij? Nëse është e tij, do të iku tutje. Ndoshta prona e tij ka diku kufij? Nata e zuri në maje të bjeshkës. Frynte erë e ftoftë.

– Këtu nuk mund e bëjmë natën, i tha ma gjysmë zëri të shoqes. Do ecim tutje derisa të gjejmë ndonjë shtrojerë.

– Ata donin të jetojnë. Donin të mbesnin gjallë dhe të kenë fëmijë!

Të dërmuar nga rruga, kishin fjetur buzë një kroi. Rrezet e para të diellit ua kishin larguar ethet e natës. Hysi nuk po dallonte dot ndonjë rrugë të rrahur, ku do të kenë kaluar njerëz.

Besoj se Zuzari nuk na vjen pas edhe përtej kësaj bjeshke. Do ecim edhe tre konak udhë pa udhë. Ai po kërkonte ku të ngulitej diku ku mund të lëshonte rrënjë, përtej çifligut të çifligarit të Mbretit.

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori