Chiesa ka katër opsione në Serie A në rast se largohet nga Liverpooli

Federico Chiesa nuk pritet të mbahet nga Liverpooli përtej afatit kalimtar të verës, dhe raportimet në Itali thonë se ka katër destinacione të mundshme për ish-sulmuesin e Juventusit në Serie A.
Chiesa iu bashkua Liverpoolit në një marrëveshje prej 15 milionë euro drejt fundit të afatit kalimtar të verës, i vetmi transferim i Arne Slot gjatë verës së tij të parë në krye, por nuk ka qenë në gjendje të gjejë një vend në formacionin fillestar në asnjë garë.
Sipas raporteve në Itali të dielën, ka një sërë opsionesh të ndryshme që mund të jenë në dispozicion të Chiesas në afatin kalimtar të verës.
Calciomercato pretendon se ai është ende në interes të drejtuesve aktualë të kampionatit, Inter, të cilët do të kërkojnë të ristrukturojnë departamentin e tyre të sulmit me Joaquin Correa dhe Marko Arnautovic që të dy pritet të largohen.
Raporti i së dielës sugjeron se Beppe Marotta e sheh Chiesan si një lojtar në formën e Correas, i cili mund të sjellë diçka më ndryshe në sulmin e ‘Nerazzurrëve’.
Për më tepër, Chiesa pëlqehet edhe nga Antonio Conte, i cili thuhet se ka shprehur interes për ta sjellë në Napoli. Megjithatë, shumë varet nga e ardhmja e Contes, pasi ka sugjerime që trajneri mund të largohet nga ‘Stadio Maradona’ mes lidhjeve me Juventusin dhe Milanin.
Calciomercato sugjeron që Conte mund të kërkonte të sillte Chiesan me vete nëse do të kalonte tek 'Rossonerët', potencialisht si një zëvendësim për Samuel Chukwueze.
Së fundmi, Roma e Claudio Ranierit thuhet se është ende e interesuar për një marrëveshje të mundshme me kosto të ulët për Chiesa.
‘Giallorossët’ kanë dy sulmues si Matias Soule dhe Paulo Dybala, kontratat e të cilëve do të skadojnë në verën e vitit 2026, që do të thotë se ata mund të jenë në kërkim të një zëvendësimi afatgjatë, veçanërisht për Dybalan./Telegrafi/



















































