Challandes për festimin e Bernard Berishës: Fola me të pas ndeshjes, nuk pranoj festime të tilla

Bernard Challandes ka folur në konferencë pas ndeshjes së humbur të Kosovës ndaj Greqisë, ndërsa nuk ka mundur t’i ikë pyetjeve për festën e Bernard Berishës pas golit.
Përfaqësuesja e Kosovës u mposht me rezultat 1-2 në shtëpi nga Greqia në kuadër të Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Goli i vetëm për Dardanët erdhi në minutën e 84-të dhe ishte Bernard Berisha, i cili shënoi një supergol.
Megjithatë, festa e sulmuesit pejan ishte paksa e ekzagjeruar duke iu drejtuar trajnerit Challandes, i cili u nda i pakënaqur me festën e tij.

“Bernard Berisha ka bërë punë të mirë si zëvendësues. Pres që edhe zëvendësuesit të bëjnë punë të mirë”, ka thënë fillimisht Challandes.
“Ju e patë se mënyra e festimit ishte mesazh për mua. Unë nuk pranojë këtë mënyrë festimi”.
“Unë fola me të. I thash që t’i më tregove që je pjesë e ekipit, por unë jam trajneri dhe nuk mund ta pranojë këtë lloj festimi”.
“I thash është hera e parë dhe e fundit që bënë këso lloj festash”, përfundoi trajneri i Dardanëve. /Telegrafi/
























































