Çfarë është dekorimi i ngadaltë? Krijoni një pamje tërheqëse në shtëpi pa shumë investime

Dekorimi i ngadaltë është një trend i ri në dizajnin e brendshëm, që ju ndihmon të ndryshoni pamjen e shtëpisë pa shpenzime të mëdha. E vetmja gjë që ju nevojitet është pak durim
Në epokën e rrjeteve sociale, jemi mësuar të shohim transformime të menjëhershme në ambiente të brendshme, shpesh përmes rinovimeve të plota dhe investimeve të mëdha. Por dekorimi i ngadaltë vjen si një qasje krejt e kundërt, më e qëndrueshme, më e arsyeshme dhe më kreative.
Nuk ka nevojë të prisni që “të gjitha pjesët të bien në vend” për të bërë ndryshime të vogla e të këndshme në shtëpinë tuaj. Mjafton të shtoni një ose dy elementë dekorativë në muaj, të cilët mund t’i blini në mënyrë të përballueshme, t’i gjeni të dorës së dytë ose t’i rinovoni nga ato që keni tashmë.
Ndonjëherë, gjithçka që duhet për një transformim është një kënaçe bojë për të rifreskuar dyert apo mobilet. Nuk është e nevojshme të kryeni lyerje të përgjithshme, të blini mobile të reja apo të rinovoni banjën njëherësh. Një hap i vogël mund ta ndriçojë të gjithë hapësirën transmeton Telegrafi.

Për të shmangur blerjet impulsive, këshillohet të bëni një plan të thjeshtë dekorimi. Shkruani për secilën dhomë se çfarë ju mungon: ndoshta një orë muri në kuzhinë, një pikturë në dhomën e ndenjës apo një qilim i ri në dhomën e gjumit. Më pas, shqyrtoni me kujdes listën dhe eliminoni një ose dy gjëra që nuk janë urgjente apo të nevojshme.
Kur të jeni në dyqan dhe të shihni një produkt në ofertë, kontrolloni planin tuaj: nëse nuk është aty, atëherë ndoshta nuk keni nevojë për të. Kështu shmangni blerjen e sendeve që do të mbeten të papërdorura me muaj apo vite.
Dekorimi i ngadaltë jo vetëm që do ta bëjë shtëpinë tuaj më funksionale dhe më personale, por edhe do të kultivojë zakone të qëndrueshme. Do të blini më me mend dhe do të zgjidhni vetëm ato gjëra që me të vërtetë i përshtaten hapësirës dhe stilit tuaj. /Telegrafi/




































