Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 22 subjekte politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në mesin e subjekteve të certifikuara janë partitë më të mëdha si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe disa parti të komuniteteve të ndryshme dhe koalicione, përfshirë koalicionin “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, koalicionin “Koalicija VAKAT” dhe koalicionin “PAI – PDAK – LPB”.


Kandidat i pavarur i certifikuar është Nedźmidin Sejdilar, ndërsa iniciativat qytetare të certifikuara janë PSA dhe Iniciativa Qytetare për Kosovë.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, sqaroi çështjen e partisë Nisma Socialdemokrate, e cila i ka përmbushur të gjitha kriteret për certifikim përveç listës së nënshkrimeve.

Kjo parti ka afat deri më 3 dhjetor, ora 12:00, për plotësimin e listës dhe certifikimin e mëtejshëm.

Ndërkohë, rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe (Srpska Lista) nuk mori votat e nevojshme brenda KQZ-së dhe kjo parti nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në total, për këto zgjedhje kanë aplikuar 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.