Çeku viziton Organizatën Down Syndrome Kosova, premton mbështetje institucionale

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar sot një vizitë në Organizatën Down Syndrome Kosova, ku u njoh nga afër me punën dhe shërbimet që kjo organizatë ofron për fëmijët me sindromën Down.
Çeku tha se falë përkushtimit të prindërve, si Sebi, Leonora dhe shumë të tjera, është bërë e mundur që këta fëmijë të kenë mbështetje dhe trajtim adekuat.
“Një organizatë me këtë mision fisnik duhet të ketë përkrahje të vazhdueshme nga institucionet, në mënyrë që të mos mendojë për buxhet, por vetëm për shërbimet që u ofron familjeve”, deklaroi Çeku.
Ai theksoi se vizita në këtë organizatë është pjesë e platformës “Prishtina 2035”, ku barazia dhe kujdesi për të gjithë qytetarët është një ndër shtyllat kryesore.
Organizata Down Syndrome Kosova është themeluar në vitin 2007 nga prindër të fëmijëve me sindromën Down dhe aktualisht ofron shërbime falas në pesë qendra të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjilan.

















































