Çdo gjurmë e Kim Jong-un fshihet pas takimit me Putinin - pamjet bëhen virale në rrjetet sociale

Pas paradës së madhe ushtarake në Pekin, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë dy orë e gjysmë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Megjithatë, ajo që ndodhi pas takimit tërhoqi vëmendje të veçantë në mediat ruse.
Sipas raporteve të tyre, stafi koreano-verior menjëherë pas përfundimit të takimit largoi me kujdes të gjitha gjurmët e qëndrimit të Kimit në dhomë. Ata hoqën gotën nga e cila ai kishte pirë, pastruan karrigen dhe fshinë çdo pjesë të mobilieve që ai kishte prekur. Pamjet e këtij veprimi tashmë qarkullojnë në rrjetet sociale dhe kanë nxitur debate mbi kultin e rreptë të personalitetit që shoqëron udhëheqësin koreano-verior.
Zakonet e Kim Jong-un për të fshirë çdo gjurmë të pranisë së tij në ambiente të caktuara pas takimeve nuk janë përjashtim, por tregues i një paranoje të thellë dhe kontrolli ekstrem, raporton cnn.
j
Regjimi i Koresë së Veriut kultivon një kult të ndërtuar të personalitetit, në të cilin çdo detaj, edhe një gotë në dukje e parëndësishme, mund të shihet si një kërcënim për regjimin.
Mediat perëndimore kanë raportuar disa muaj më parë një rast të ngjashëm: dy zyrtarë të lartë të marinës u "fshinë" nga një fotografi zyrtare pas një dështimi në lëshimin e një anijeje luftarake - një shembull i politikës së eliminimit të shpejtë dhe "zhdukjes" simbolike të gabimeve.
Takimi mes Putinit dhe Kimit zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe u zhvillua në rezidencën shtetërore Diaoyutai.
Gjatë bisedës, presidenti rus falënderoi Kim Jong-un për ndihmën që, sipas tij, forcat koreano-veriore i kanë dhënë ushtrisë ruse në rajonin e Kurskut, Ukrainë dhe foli për një “luftë të përbashkët kundër neonazizmit modern”. Nga ana e tij, Kim premtoi se do t’i ofrojë Rusisë "gjithçka që mundet", duke theksuar se kjo është një detyrë vëllazërore. /Telegrafi/

















































