Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj dy të pandehurve E.K. dhe A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, e cila ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit. Masa do të zgjasë deri më 11 prill 2026.


Sipas gjykatës, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se që nga viti 2021 i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash me kamatë të lartë dhe përfitime dukshëm joproporcionale. Si rezultat i kësaj skeme të dyshuar të fajdesë, vetëm në emër të kamatave dyshohet se ka përfituar mbi 400 mijë euro nga viktima.

Në pamundësi për ta shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., i cili kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar B.Ç. në kthimin e borxhit. Sipas dyshimeve, të pandehurit kërkonin nga viktimat shumën prej rreth 550 mijë euro.

Për të siguruar këtë shumë, ata dyshohet se kanë kërkuar nga viktima B.Ç. që në emër të kamatave t’ua kalojë në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro.

Gjykata thekson se të pandehurit dyshohet se kanë përdorur edhe dhunë fizike dhe kanosje ndaj viktimave, duke e detyruar B.Ç. që më 11 mars 2026, së bashku me nënën e tij, të paraqitet fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat dhe më pas të vazhdojë procedurat noteriale për kalimin e pronësisë.

Megjithatë, gjatë zhvillimit të procedurave dhe në kuadër të masave të veçanta hetimore, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të pandehurit.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe rrezikun e arratisjes së të pandehurve. Po ashtu është konsideruar se ekziston rreziku që ata, nëse lihen në liri, mund të ndikojnë tek viktimat dhe dëshmitarët përmes presioneve, kanosjeve apo dhunës.

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale ose kryerjes së ndonjë vepre tjetër më të rëndë që mund të cenojë sigurinë e të dëmtuarve.

Faktet e paraqitura nga organet e hetimit do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale./Telegrafi/