Caktohet 30 ditë paraburgim për kolonelin e Policisë, Nexhmi Krasniqi

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-drejtorin e Policisë në këtë rajon, Nexhmi Krasniqi, dhe tre persona të tjerë.
Ata dyshohen se kanë detyruar një qytetar që ta shesë përgjysmë më lirë një pronë me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, prona në fjalë ka pasur vlerë prej 400 deri në 500 mijë euro, por është shitur për vetëm 250 mijë euro, për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë të dëmtuarit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se kjo është bërë me miratimin e një dëshmitari dhe në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili përfitoi nga kjo shitje nën çmimin e tregut.
“Gjatë një takimi, të pandehurit i kanë bërë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749, në favor të R.P. Tre nga të arrestuarit dyshohet se kanë përfituar nga 10 mijë euro secili”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas të njëjtit dokument, një pjesë e shumës së parave të gatshme është dorëzuar në zarf në shtëpinë e Krasniqit, ku më vonë u gjetën gjatë një bastisjeje të ndërmarrë nga hetuesit policorë.
Të arrestuarit u paraqitën të mërkurën para Gjykatës në Prizren, ku u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë, prishjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale në rast se të dyshuarit mbrohen në liri.







































