Shmangni trajtimet agresive, mjafton rutina e duhur për buzë të kuruara çdo ditë

Pirja e duhanit, ndotja e ajrit dhe toksinat ndikojnë në gjithë organizmin, por edhe në buzë, të cilat me kohë mund të bëhen të thata dhe me rrudha. Duhani veçanërisht e përkeqëson gjendjen e lëkurës së buzëve.


Buzët e kuruara dhe të shëndetshme janë zbukurim i fytyrës. Nuk kemi nevojë për sasi të tepruara të acidit hialuronik, por para së gjithash për kujdes të rregullt dhe hidratim të vazhdueshëm. Buzët e buta dhe të lëmuara mund të arrihen edhe pa trajtime të kushtueshme apo invazive.

Uji, sekreti i buzëve të bukura

Uji jo vetëm që shuan etjen dhe rregullon temperaturën e trupit, por ndihmon edhe në mbajtjen e lagështisë së indeve. Ai është i domosdoshëm për lëkurë, flokë dhe buzë të hidratuara. Një nga shkaqet më të shpeshta të buzëve të thata dhe të çara është mungesa e ujit. Konsumi i mjaftueshëm i ujit është i nevojshëm për të gjitha qelizat - zemrën, trurin, veshkat dhe siguron buzë të plota dhe të shëndetshme.

Pilingu i buzëve

Heqja e rregullt e qelizave të vdekura është bazë e kujdesit për lëkurën dhe buzët. Një këshillë praktike është që pas larjes së dhëmbëve, buzët të masazhohen lehtë me një furçë të butë. Kjo stimulon qarkullimin, freskon lëkurën dhe i jep buzëve një ngjyrë më të natyrshme.

Pilingun për buzë mund ta përgatisni edhe në shtëpi: përzieni pak sheqer me mjaltë dhe disa pika vaj bajameje, transmeton Telegrafi.

Vitamina E për rigjenerim

Pas pilingut, buzët kanë nevojë për rigjenerim. Mund të përdorni kapsulë me vitaminë E, duke e aplikuar përmbajtjen direkt mbi buzë. Vitamina E ka veti antioksiduese dhe hidratuese, mbron lëkurën nga dëmtimet, zvogëlon inflamacionin, stimulon prodhimin e qelizave të reja dhe përmirëson qarkullimin. Ajo mund të zbusë rrudhat dhe gjurmët e vogla.

Volum natyral me vaj mente

Vaji i mentës ndikon në qarkullimin e gjakut, duke krijuar ndjesi freskie dhe duke i bërë buzët të duken më të plota. Rekomandohet të përzihet me vaj kokosi ose vaj bajameje dhe të përdoret si balsam natyral për buzët.

Mbrojtja nga dielli

Shpesh kujdesemi të aplikojmë krem me mbrojtje UV në trup, por harrojmë buzët. Specialistët këshillojnë përdorimin e balsamit me SPF 15 ose më të lartë gjatë ditëve me diell, në plazh, por edhe kur është mot me re. Kjo zvogëlon rrezikun e plakjes së hershme, dëmtimeve dhe madje edhe të sëmundjeve serioze të lëkurës së buzëve.

Çfarë i dëmton buzët?

Duhani, ndotja dhe toksinat i bëjnë buzët të brishta e të rrudhura. Përveç kësaj, përdorimi i shpeshtë i buzëkuqit kërkon kujdes: pas çdo përdorimi, hiqeni butësisht me një produkt të përshtatshëm për heqjen e grimit. Para se të aplikoni buzëkuqin, është e këshillueshme të vendosni një shtresë të hollë vaji kokosi ose bajameje, si një “primer” natyral. /Telegrafi/