Sot do të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00.


Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare të premten, vendosi që seanca të shtyhet për sot për t’u dhënë kohë deputetëve për shqyrtimin e dokumentit.

Votimi i buxhetit në lexim të parë u përball me kundërshtimin e partive opozitare, të cilat kërkuan më shumë kohë për analizimin e projektligjit, që përmban rreth 700 faqe.

Deputetët e opozitës kanë theksuar se është e nevojshme ta lexojnë dokumentin në detaje, në mënyrë që të paraqesin propozime konkrete.

Ministri Murati e ka pranuar se disa ministri të reja nuk kanë buxhet, mirëpo e ka përmendur urgjencën e miratimit të projektligjit të ri dhe është zotuar se do të ketë ndryshime e rishikime të buxhetit gjatë javëve e muajve në vazhdim.

Buxheti i propozuar për vitin 2026 kap vlerën prej 4 miliardë eurosh. Nga shuma totale prej 3.955.595,904 miliardësh, 998 milionë euro janë ndarë për investime kapitale, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit, apo mbi 1.3 miliard euro, parashihet të shpenzohen për subvencione dhe transfere.

Mbi 980 milionë euro janë ndarë për pagat dhe shtesat e mbi 91 mijë punonjësve të sektorit publik. Mallrat dhe shërbimet do të kushtojnë 509 milion euro, kurse shpenzimet komunale mbi 35 milionë euro.

Për t’u bërë ligj, ai duhet të kalojë edhe në lexim të dytë në Kuvend./Telegrafi/