Burrat nuk po zhduken nga letërsia, e vërteta është më e ndërlikuar

Nga: Hannah Ewens / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Tobi Coventry është i padukshëm, por ai është këtu. Një romancier debutues që shkruan për seksualitetin, dëshirën dhe, pa dashje, për maskulinitetin: lloji i burrit për të cilin prej pesë vjetësh na është thënë se nuk ekziston më. Ose të paktën nuk mund të fitojë Çmimin “Booker” pa shkaktuar një dridhje të habitshme kulturore. Ditët i kalon duke lexuar, për të jetuar - duke gjurmuar libra para se të dalin në pah, duke gërmuar në titujt e vjetër për të gjetur histori që mund të përshtaten për ekranizim. Kështu që, kur ky kërkues librash i kthyer në autor lexoi qëndrimin e [ditores] The Guardian për Çmimin “Booker” - letërsia “e mbyllur për burrat,” librat për meshkuj të rinj “vështirë për t’u gjetur,” fitorja [Çmimi “Booker” më 2025] e David Szalayit që solli “maskulinitetin sërish në qendër të letërsisë artistike” - ai thjesht e pyeti veten: çfarë?
“Disa prej librave më të mirë të rinj vijnë prej burrave e disa prej grave, dhe nuk më ka ndodhur ndonjëherë të mendoj: ‘O, Zot, mezi pres një libër që vjen nga një burrë’,” thotë Coventry nga zyra e tij në shtëpi, në Raj. Prapa tij, raftet janë të mbushura me libra nga autorë të të gjitha gjinive.
Pastaj ai fillon të rendisë këta burra që supozohet se nuk ekzistojnë: Ben Myersi i frytshëm me përmbledhjen e tij të tregimeve, Male Tears [Lotët e burrave]; Douglas Stuart; Michael McGee; Paul Mendez; Tony Tulathimutte; Djamel White. Ai vëren se edhe gratë shkruajnë për djem të rinj dhe për maskulinitetin - dhe unë do të shtoja shkrimtaret si Sally Rooney dhe Ottessa Moshfegh, të cilat The Guardian i ka përmendur - edhe pse pretendon se një lloj i tillë shkrimi mungon, duke ia atribuuar këtë mungesë dominimit të supozuar të “interioritetit femëror.”
Romani debutues i Coventryt, He’s the Devil [Ai është djalli], një komedi e errët me ndikime nga Stephen Kingu, Moshfeghu dhe Eliza Clarku, pritet të dalë vitin e ardhshëm. Protagonisti i tij është një burrë i vetmuar rreth të njëzetave të vona, që joshet nga prania e frikshme e një cimeri të ri. Coventry flet lirshëm për letërsinë e zhanrit, se si ajo fut brenda saj analiza të maskulinitetit përmes stereotipave dhe gjurmëve [tropes and shadows], dhe se si çdo “krizë” e supozuar në letërsinë mashkullore injoron burrat që po lulëzojnë - madje ndonjëherë dominojnë - në këto hapësira të zhanrit. Librat po ndryshojnë, thotë ai, madje edhe ata letrarë. “Çështja këtu ka të bëjë pjesërisht me të folurit për një lloj specifik libri që mund të fitojë çmime të caktuara. Dhe, unë mendoj se kjo është disi e rrezikshme, sepse pastaj njerëzit kërkojnë një krahasim të drejtpërdrejtë,” thotë ai për këtë burrë arketip që mungon.
Novelistja Eliza Clark agrees. “Basically all of our brightest and most successful young male novelists - and there’s a hard divide between those and our old guard male novelists - are queer or men of colour or both. That’s great: I think it represents a true diversifying of the industry, though obviously we have a lot more work to do.” The old guard, she clarifies, is the usual roll call: Will Self, Bret Easton Ellis. Does it really matter that that is changing?
Shkrimtarja Eliza Clark është dakord. “Në thelb, të gjithë romancierët tanë të rinj meshkuj, më të kthjellët dhe më të suksesshëm - dhe ka një ndarje të fortë midis tyre dhe ‘gardës së vjetër’ të romancierëve meshkuj - janë ose të komunitetit LGBTQ+ [queer], ose burra me ngjyrë, ose të dyja. Kjo është një gjë e mirë: mendoj se përfaqëson një diversifikim të vërtetë të industrisë, edhe pse sigurisht kemi ende shumë punë për të bërë.” Garda e vjetër, saktëson ajo, përfshin emrat e zakonshëm: Will Self, Bret Easton Ellis. A ka vërtet rëndësi që kjo po ndryshon?
Që nga viti 2020, mediat janë kthyer sërish dhe sërish te pyetja: ku kanë shkuar shkrimtarët meshkuj? Në atë vit, James Marriott shkroi në The Times se janë zhdukur romancierët e rinj “të veçantë”; ai numëroi vetëm katër burra në një listë të gjatë prej 13 emrash për Çmimin “Booker” - një statistikë që me gjasë nuk do të komentohej, sikur të ishte e anuar në drejtimin e kundërt. Herë pas here, kjo bisedë shpërthen në rrjetet sociale, e ndjekur nga esetë si ajo e Barry Pierceit në Dazed, që shprehet me simpati ndaj idesë së zhdukjes së meshkujve të rinj. “Si do ta shohin njerëzit rolin e meshkujve të rinj në shoqërinë britanike më 2022, nëse burimet e dorës së parë nuk ekzistojnë?” - shkroi ai. “Si mund të mësojmë, të gjithë, për përvojat dhe qëndrimet e kohës nëse kronikat mbeten të pashkruara?”
Këtë vit, një botues i ri doli në skenë, Conduit Books, i themeluar nga Jude Cook i cili synon të botojë vetëm burra - si një korrigjim, thotë ai, ndaj përjashtimit të shkrimtarëve meshkuj. Pas fitores së Szalayt në Çmimin “Booker”, debati u ndez sërish: ishte komenti i The Guardian-it mbi nevojën që një burrë të shkruajë për jetën e brendshme të një burri dhe të fitojë një çmim të madh duke e bërë këtë. Një moment i pazakontë vetëm nëse historia lihet pas dore. Që nga themelimi i Çmimit “Booker”, në vitin 1969, gjithsej 36 burra kanë fituar - kundrejt 18 grave; në dekadën e fundit, raporti është shtatë me katër. Në tërësi, në çmimet letrare ka një baraspeshë të përafërt gjinore. Lista e debutuesve për vitin 2025 e The Observer-it: 11 shkrimtarë, pesë burra. Në vitin 2024: 10 shkrimtarë, pesë burra. Kjo është më pak se një zhdukje dhe më shumë një mirazh i përsëritur mediatik: një gjoja problem që bëhet i papërmbajtshëm për shkak të potencialit të klikimeve.
Të lexosh këto shkrime është të ndjesh nostalgji për një lloj të caktuar burri në botën e botimeve: i mprehtë, i sigurt në vetvete, i bardhë. Rebeli me cigare dhe mllef, kulti i [Martin] Amisit, [Philip] Rothit, [Jonathan] Franzeni, Ellisit, [Ernest] Hemingwayt. Clark e përmbledh shkurtimisht debatin: “Pse prej shumë kohësh s’e kam parë një roman të suksesshëm nga një rebel [enfant terrible] i bardhë 29-vjeçar i bardhë nga Oksfordi?”
Martin Chilton, kritik letrar kryesor në The Independent, është një tjetër që beson në diversifikimin e letërsisë. “Ndoshta një roman kryevepër për një insel bashkëkohor [anëtar i një komuniteti në internet, me të rinj që e konsiderojnë veten të paaftë për të tërhequr gratë seksualisht, gjë që zakonisht shoqërohet me pikëpamje armiqësore ndaj grave dhe burrave që janë seksualisht aktivë] po shkruhet në këtë çast, ndonëse me letërsinë duhet të jesh i kujdesshëm me atë që dëshiron,” thotë ai. Ai kujton bumin e “lad litit” [zhanër rreth jetës emocionale dhe personale të të rinjve] të viteve ’90 të shekullit XX, kur botuesit hidhnin para mbi romane seksiste me tituj si Booty Nomad [Nomadi i prapanicave] dhe Bendy Girl [Goca elastike]. Rezultatet, nënkupton ai, nuk ishin aspak frymëzuese.
Dhe, nëse dikush këmbëngul për libra “kull” nga burra “të rinj”, ata tashmë ekzistojnë: Who They Was [Kush ishte] nga Gabriel Krauze, një letërsi biografike - e përfshirë në listën e gjatë të “Booker”-it - për dhunën dhe mbijetesën; Fuccboi [Bandilli] nga Sean Thor Conroe, që trajton dashurinë, seksin, shkrimin dhe zhgënjimin. I gjeta këta të dy sepse ishin të reklamuar mirë dhe të mbështetur nga industria e botimeve dhe e mediave. Do të ishte e pandershme të mohohej se në vitet në dekadën e dytë të këtij shekulli, media i dha më shumë hapësirë autoreve të reja, shpesh të bardha dhe tërheqëse. Gjinia formëson marketingun, formëson pritshmëritë për veprën, formëson atë se kush konsiderohet letrar. Mund të të ndihmojë ose të të dëmtojë. “Kam folur me autore të tjera për këtë,” thotë Clark, “por, mendoj se ekziston shumë më tepër presion për të qenë disi e paraqitshme në aspektin vizual ... Dikur nuk prisnim që shkrimtarët të ishin të bukur dhe të klikueshëm.” Ajo vëren realitetin algoritmik: një intervistë me një grua të re, me bukuri të pranueshme, tërheq më shumë klikime se një burrë rreth të dyzetave me pamje të zakonshme.
Dhe, në të njëjtën frymë, kur posta ime elektronike mbushet me njoftime për shtyp, shoh vazhdimisht gra në grupe, të reklamuara si “adhuruese të Sally Rooneyt”, pavarësisht nëse shkrimi i tyre i ngjan të sajit apo jo. “Më kujtohet se mora një letër marketingu për një libër të ri nga një shkrimtar mashkull ... dhe përshkrimi ishte ‘në stilin e Zjarrit të zbehtë të Vladimir Nabokovit.’ Më bëri të mendoj, a keni parë ndonjëherë një libër të një autoreje që krahasohet me ndonjë shkrimtar mashkull apo me ndonjë autor të madh të pranuar?” - thotë Clark. Një debutim i një burri, kur ndodh, trajtohet më me gatishmëri si letërsi; ai i një gruaje, si letërsi për gra.
Ajo që nuk diskutohet mjaftueshëm, ajo që fshihet poshtë zhurmës, nuk është çështja e burrave dhe shkrimit, por e burrave dhe leximit. Molly Flatt, autore dhe redaktore e opinioneve në The Bookseller, përmend një analizë nga [organizata] The Women’s Trust: gratë blejnë 80 për qind të të gjithë romaneve. Burrat shmangin në mënyrë dërrmuese librat e shkruar nga gratë; gratë nuk janë reciproke në atë paragjykim. “A mund të inkurajojmë burrat të lexojnë më shumë nga gratë?” - pyet ajo. “Nëse argumenti është se na duhen më shumë libra prej burrave, në një zhanër të caktuar, sepse lexuesit meshkuj gjoja ndjejnë më shumë empati me autorët meshkuj, e pra, gratë - sipas kësaj analize - nuk e kanë këtë problem.”
Statistika e përsëritur shpesh - 80 për qind e redaktorëve të letërsisë janë gra - përdoret ndonjëherë si shpjegim për mungesën e burrave në letërsi. Flatt nuk e beson. Botimi në aspektin gjinor nuk është çështja qendrore e industrisë; është shoqëria. “Po të doje, për shembull, që më shumë burra të bëhen shkrimtarë - pse jo? Por, ne kemi nevojë që ata të jenë lexues dhe të mbeten lexues në adoleshencë e më tej.” Kriza e vërtetë, argumenton ajo, është vëmendja: ta largosh djalin apo burrin nga telefoni, nga ekrani, e ta kthesh në rrëfim. Ajo është e kujdesshme të mos diagnostikojë gabimisht një krizë globale të shkrim-leximit si një problem të botimeve.
Clark është e drejtpërdrejtë përse ky këndvështrim merr pak vëmendje. Rënia e leximit nga meshkujt nuk përbën një titull tërheqës. “Kjo është më pak atraktive sesa të nënkuptosh se ‘zgjimi’ [woke] ka shkuar shumë larg dhe gratë po botojnë romanet e tyre [në mbështetje të lëvizjes] #MeToo dhe po ua prishin punën djemve të bardhë nga elita që përpiqen dëshpërimisht të botojnë romanet e tyre të bukura.” Dhe, kështu, në vitin 2025, ne ende lexojmë artikuj të pashmangshëm si ai i Toby Youngut në The Spectator, me titullin, po ashtu të pashmangshëm: “Lërini burrat e bardhë heteroseksualë të shkruajnë romane.”
Teksa Coventry pret daljen e romanit të tij debutues, ai do të vazhdojë të pranojë dorëshkrime nga të gjithë. “Mendoj se burrat që janë botuar dhe që shkruajnë rregullisht do të bezdiseshin po të dëgjonin se njerëzit thonë se burrat nuk po shkruajnë letërsi - sepse absolutisht po e bëjnë,” më thotë ai. “Dhe, unë vazhdimisht i lexoj.” /Telegrafi/















































