Një shqiptar i dënuar me 32 vite burg për vrasje në Britani të Madhe, përmes videove në TikTok kërkon të transferohet në një nga qelitë e Shqipërisë.

Videot e shpërndara nga i burgosuri shqiptar kanë bërë jehonë në mediat britanike.


Eugert Merizaj i njohur me emrin “Babale” në rrjetet sociale, ka arritur të fus një celular në qeli edhe pse është rreptësisht i ndaluar dhe përbën vepër penale.

Gjatë komunikimeve live me ndjekësit e tij ai ka treguar përse ndodhet në burg.

Ndërsa lidhur me arsyen që kërkon të kthehet në tokën shqiptare, 32-vjeçari thotë për të parë familjen e tij pasi ka shtatë vite që nuk i ka takuar.

Ndër të tjera ai tregon se ushqimi në burg është i tmerrshëm.

Ajo çfarë të bie në sy nga videot e publikuara nga qelia në të cilën ndodhet Merizajt janë simbolet kombëtare të Shqipërisë, libra në gjuhën shqipe, por nga ana tjetër edhe veshjet e tij të kushtueshme të markave të ndryshme.

Eugert Merizaj ka qenë në qendër të vëmendjes së medias britanike edhe vitin e shkuar ku përmes TikTok kërkonte para nga ndjekësit e tij.

32-vjeçari shqiptar është dënuar për vrasjen e një trafikanti droge në vitin 2019, edhe pse nuk e ka pranuar asnjëherë krimin.

Merizaj u arrestua në Belgjikë dhe u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar.

Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të të burgosurve në Britaninë e Madhe.

Prej majit të vitit 2023, vendi ynë ka një marrëveshje me Anglinë për transferimin e të burgosurve.

Mbetet për t’u parë nëse kërkesa e Eugert Merizajt do të pranohet nga autoritetet./Euronews Albania