Kosova U21 e ka mbajtur stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet kundër Sllovenisë për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023.

Për dallim nga stërvitja e djeshme, e cila më shumë ishte regjenerim për lojtarët, kjo e sotmja ishte me punë intensive, ku drejtori teknik Albert Bunjaki, i cili po e udhëheq ekipin, ua ka transmetuar lojtarëve filozofinë e tij të lojës dhe atë çfarë pret nga ta në dy ndeshjet e radhës.


Para stërvitjes Bunjaki ka mbajtur një konferencë për media, ku i pranishëm ishte edhe kapiteni Edvin Kurtulush.

kosovau21 stervitje2  1

Bunjaki ka thënë se synimi i tij në 5 ndeshjet e mbetura të kualifikimeve për Evropianin 2023 është që të merren 40 deri 50 për qind e pikëve në dispozicion, por sipas tij qëllimi kryesor është përgatitja e ekipit për kualifikimet e ardhshme që nisin në pranverën e vitit 2023.

“Nga 23 lojtarë të ftuar në këtë grumbullim, 11 prej tyre kanë të drejtë loje në kualifikimet e ardhshme dhe këtu është edhe fokusi ynë. Pra, ndërtimi i një ekipi kualitativ për ciklin e ardhshëm kualifikues”, ka thënë Bunjaki.

kosovau21 stervitje3  1

Ai e ka vlerësuar Slloveninë si kundërshtar shumë të fortë fizikisht, por ka thënë se këto dy ndeshje do të jenë shumë motivuese për të dhe për lojtarët.

Ndërkaq, kapiteni i ekipit është shprehur optimistë para këtyre dy ndeshjeve: “Kemi me u mundu me e përgatit sa më mirë gjeneratën e re për kualifikimet e ardhshme dhe për t’u kualifikuar në Evropian. Besoj se me këtë ekip që kemi dhe me trajnerin aktual do të bëjmë punë të mirë“, ka thënë Kurtulush.

kosovau21 stervitje5  1

Do theksuar se në këtë grumbullim mungon Ismet Lushaku, i cili nuk ka udhëtuar fare pasi ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.

telegrafi sport app