LAJMI I FUNDIT:

Bruçaj: Mikrofinancat kanë pranuar 47 mijë kërkesa në vlerë rreth 100 milionë euro për shtyrje të kësteve të kredive gjatë pandemisë COVID-19

Bruçaj: Mikrofinancat kanë pranuar 47 mijë kërkesa në vlerë rreth 100 milionë euro për shtyrje të kësteve të kredive gjatë pandemisë COVID-19

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), Arsim Bruçaj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 janë pranuar 47 mijë kërkesa për shtyrje të kësteve të kredive në vlerë të përgjithshme rreth 100 milionë euro.

Bruçaj thotë se pavarësisht vështirësive, këto institucione kanë vazhduar punën pandërprerë përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.


Sipas tij, pjesa kryesore e punës përgjatë kësaj kohe ka qenë administrimi i kërkesave për shtyrje të pagesës, koordinimi me Bankën Qendrore të Kosovës dhe me investitorët apo kreditorët.

Telegrafi: Si ka ndikuar pandemia COVID-19 te institucionet mikrofinaciare të Kosovës?

Arsim Bruçaj: Institucionet Mikrofinanciare (IMF) të Kosovës fillimisht kanë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve dhe klientëve. Pastaj, në fokus ishte vazhdimësia e punës në pajtim edhe me vendimet dhe udhëzimet e qeverisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Sikur dihet BQK dhe institucionet kreditore janë pajtuar për aplikimin e moratoriumeve të pagesave të kredive. Marrë së bashku, IMF-të e asocuara në AMIK kanë dhënë moratorium për rreth 47 mijë klientë, për një shumë të përgjakshme rreth 100 milionë euro. Shumica nga klientët tanë janë mbajtës të familjeve dhe jemi përpjekur që edhe në këto ditë shumë të vështira të jemi në krah të tyre.

Sikurse në çdo veprimtari, COVID-19 ka pasur ndikim edhe në sektorin mikrofinanciar. Për shkak të mënyrës së punës së mikrofinancave të Kosovës, ato janë prekur më shumë se sa bankat. IMF-të në Kosovë nuk marrin depozita dhe financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sikurse BERZH, EFSE, IFC dhe shumë të tjera kurse likuiditeti i tyre ditor lidhet direkt me kthimet e rregullta të kredive.

Telegrafi: Si kanë funksionuar IMF-të në këtë kohë të pandemisë?

Arsim Bruçaj: IMF-të kanë vazhduar punën pandërprerë përgjatë gjithë kësaj kohe. Nën masa të shtuara të kujdesit shëndetësor për klientët dhe stafin, IMF kanë vazhduar me administrimin e kërkesave të shtyrjes së pagesës së kredive dhe në një masë të vogël edhe dhënien e kredive.

Telegrafi: A ka pasur ndikim pandemia në ofrimin e shërbimeve/kredive nga ana e IMF-ve?

Arsim Bruçaj: IMF-të kanë vazhduar të jenë në shërbim të klientëve të tyre edhe përgjatë kësaj kohe. Kryesisht për shkak të masave të mbylljes kërkesa për kredi nuk ka qenë e madhe. Pjesa kryesore e punës përgjatë kësaj kohe ka qenë administrimi i kërkesave për shtyrje të pagesës, koordinimi me BQK dhe me investitorët-kreditorët.

Arsim Bruçaj, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK)

Telegrafi: A kanë pasur humbje financiare IMF-të?

Arsim Bruçaj: Po sigurisht. Përderisa IMF-të i kanë shtyrë pagesat për klientët për më shumë se gjysmën e kredive aktive, stafi, qiratë dhe shpenzimet tjera operative janë paguar. Por humbjet janë mbuluar nga IMF-të. IMF-të të asocuara në AMIK punësojnë rreth 1,100 punëtorë dhe operojnë në 122 degë. Për më shumë, IMF-të kanë vazhduar të respektojnë plotësisht obligimet e tyre ndaj investitorëve.

Telegrafi: BQK-ja ka marr vendim që të bëhet pezullimi i pagesë së kësteve të kredive për ata që kanë vështirësi financiare në kohë të pandemisë. A është zbatuar ky vendim nga institucionet mikrofinanciare?

Arsim Bruçaj: IMF-të kanë qenë në koordinim të plotë më BQK. Udhëzimet dhe vendimet e BQK-së janë zbatuar në plotësi. Pothuajse janë aprovuar të gjitha kërkesat për pezullim të pagesave të kësteve.

Telegrafi: Pas lehtësimit të masave, cilat janë vështirësitë me te cilat po përballen këto institucione?

Arsim Bruçaj: Edhe pse masat kufizuese tashmë janë lehtësuar, ekonomia e vogël dhe veçmas kategoria e klientëve tanë janë nga më të dëmtuarit. Kjo ndikon në kërkesën e përgjithshme për kredi dhe në kapacitetin pagues të klientëve. Nga ana tjetër, kosto dhe qasje në kredi ndërkombëtare nga ana e IMF-ve po ashtu është vështirësuar. Qeveria duhet të shoh kah mikrofinanca si një mundësi dhe të ndihmojë ekonomitë familjare përmes dhënies së fondeve, kredive dhe subvencioneve për norma të interesit për klientët.

Telegrafi: Cili pritet të jetë kontributi i IMF-ve në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës pas pandemisë COVID-19?

Arsim Bruçaj: Qeveria e sapo zgjedhur duhet të veprojë shpejt për të ri-ndezur kërkesën dhe investimet në ekonomi. Si IMF, ne jemi të pozicionuar shumë mirë për tu dal në ndihmë bizneseve mikro dhe ekonomisë familjare. Është shumë e rëndësishme që IMF-të si kredidhënës të përgjegjshëm të vazhdojnë të japin qasje në financa. Ne mendojmë se qeveria mund të ndajë një fond prej 50 milionë euro për kreditimin e IMF-ve me terma shumë të favorshëm dhe me afat më të gjatë që IMF t’i plasojnë ato mjete tek klientët me kushte më të favorshme. Po ashtu, IMF-të do të jenë pjesë e skemës së garancisë kreditore dhe kjo do të ndikojë në rritjen e kreditimit por edhe në përmirësimin e kushteve të kredisë. /Telegrafi/